Lajme

Konstituohet komisioni parlamentar për Vettingun


Komisioni Ad-Hoc.

Të martën e 20 dhjetorit, është konstituar komisioni për Vetting.

Ky vendim është marrë në mbledhjen e së martës nga Komisioni Ad-hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar.

Komision ky i cili do të ketë detyrë që të bëjë administrimin e të gjithë procesit të Vettingut në drejtësi.

Kryetari i këtij komisioni, Kujtim Shala nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka propozuar një grup punues prej 3 persona për të diskutuar për mbarëvajtjen e këtij komsioni.

“Më kanë kontaktuar përfaqësues të zyrave në Kosovë që të takohen me mua. Propozoj që të kemi njëlloj bashkëpunimi të përhershëm. Ne i ftojmë të gjitha zyrat ndërkombëtare në Kosovë si zyra e BE-së”, tha Shala.

Kurse, deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, u shpreh se duhet të fillojnë me hartimin e amendamenteve Kushtetuese.

“Mendoj që ne duhet të fillojmë me hartimin e amendamenteve kushtetuese, por mendoj qe duhet ta ndërtojmë një plan të punës. Pasi që ta hartojmë dhe për sa kohë që Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosë ende, ta shfrytëzojmë kohën të punojmë në draft ligjin. Ne jemi të vetëdijshëm për procedurën”.

Rrustemi shtoi se “derisa Gjykata Kushtetuese nuk ka afat të caktuar të shqyrtimit, jam dakord për bashkëpunimin e te gjithë aktereve gjë që e pasuron këtë proces”.

Edhe deputeti Dimal Basha nga LVV, konsideron se interesi i publikut është tek Vettingu në drejtësi.

“Jemi dakorduar si parti që ne ta ndihmojmë procesin e drejtësisë, për shkak se njerëzit vuajnë nga padrejtësia. Sa here që mblidhemi në Kuvend, dikush ka punë tjera. Nuk e di kush e ka vendosur emërtimin, mendoj qe interesi i publikut është tek Vettingu i drejtësisë jo tek ky emërtim i komisionit”.

Mirëpo, deputetja e LDK, Daorsa Kica-Xhelili, tha se gjatë këtij procesi do të ketë një problem tjetër.

Sipas saj, sigurimi i votave nga Lista Serbe do të jetë proces problematikë.

“Jam dakord me praktikën e punës e kemi vetëm një problematike të vogël, të cilën e rekomandoj Adnani që të punojmë paralelisht. Mendoj që është tejet e rëndësishme ta dimë se si ne do ta fitojmë votën e listës serbe. Duhet te marrim çdo hap që ta marrim votën nga Lista Serbe, që fatkeqësisht na duhet”, tha ajo.

Ndërsa deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, bëri të ditur sërish se qëndrimi i partisë së saj është që vettingu të fillojë punën sa më shpejt.

Çka parasheh koncept-dokumenti për Vetting?

Ky proces synon që brenda pesë viteve të zhvillohet në tri faza.

Faza e parë do të përfshijë të gjithë anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, pesë anëtarë të Gjykatës Supreme dhe kryeprokurorin e shtetit.

Në fazën e dytë të procesit do t’i nënshtrohet Gjykata Supreme në tërësi dhe prokurorët në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Po ashtu në fazën e dytë procesit do t’i nënshtrohen edhe zyrtarët në pozita të larta drejtuese brenda sistemit si administratorët e gjykatave dhe prokurorive, drejtorët e sekretariateve si dhe drejtori i Njësisë për Inspektim Gjyqësor në KGJK.

Komisioni i Venecias.

Gjatë kësaj faze do të zhvillohet procesi i rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj si parapërgatitje për fazën e tretë.

Ndërsa në fazën e tretë të Vettingut do t’i nënshtrohen gjyqtarët mbikëqyrës të degëve pastaj gjyqtarët dhe prokurorët e gjykatave dhe prokurorive themelore.

Koncept dokumenti për Vettingun ka paraparë që pozitat e lira pas shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kanë kaluar Vettingun do të hapet konkurs për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj.

Gjyqtari ose prokurori ka të drejtë që ndaj vendimit për shkarkim të paraqesë ankesë brenda 15 dite në Gjykatën Supreme, e cila lidhur me këtë ankesë duhet të vendosë brenda 30 ditësh.

Koncept dokumenti i Vettingut parasheh se nga momenti i propozimit për shkarkim e deri te shkarkimi përfundimtar i gjyqtarit ose prokurorit, koha e mbylljes se procedurës duhet të përfundojë brenda 75 ditësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore