Konstatimi i Osmanit se Kurti e nxori nga pakoja tregon se Asociacioni është temë e kryer

SHFLETO

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

 

Dreni Himbeqa
31.05.2024 13:44
Loading Icons...

Konstatimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se ekzekutivi ka nxjerrë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe nga pakoja duke “ndryshuar në tërësi qëndrimin” e krerëve institucional për këtë mekanizëm – që u bë nyja gordiane e aspiratave të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare – për njohësit e çështjeve ndërkombëtare le të nënkuptohet se “Asociacioni është temë e kryer”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 16 prill, në ditën kur Kosova kaloi testin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, vlerësoi se “nuk është në rregull të flitet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pa e përdorur në të njëjtën fjali paraprakisht Marrëveshjen Bazike”.

Sipas tij me Asociacionin duhet proceduar tutje vetëm brenda pakos – pra brenda Marrëveshjes Bazike – jo duke e ndarë atë nga kutia, sepse në vlerësimin e tij një gjë të tillë po e kërkon Serbia.

Megjithatë, Osmani vlerësoi se me letërzotimin e nisur – pa konsultim paraprak me Zyrën e Presidentes –  në Këshillin e Evropës në përpjekje për të marrë mbështetjen e nevojshme për anëtarësim, Kurti veçse ka vepruar në mënyrë kundërthënëse me strategjinë e deritanishme politike në raport me këtë mekanizëm.

Për ish-zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Anton Berisha, Vjosa Osmani, Glauk Konjufca e Albin Kurti, aktualisht janë duke u futur në lojën e fajësimit të njëri-tjetrit, pas dështimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ndonëse ishin zotuar që do ta përmbushin kërkesën e komunitetit ndërkombëtar për Asociacionin nëse dëshirojnë anëtarësim të plotë në këtë organizëm ndërkombëtar.

“Presidentja, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri janë zotuar për të përmbushur kërkesat qe rrjedhin nga Raporti për Këshillin e Evropës, por që të tretë kane menduar që po zotohen sikurse janë zotuar para votuesve të tyre në zgjedhjet e fundit e të mos zbatojnë asgjë, për më keq të abuzojnë me institucionet shtetërore”, ka thënë ai për Albanian Post.

Kjo logjike, sipas ish-ambasadorit të Kosovë në Slloveni, ka funksionuar brenda vendit, por nuk funksion në institucionet evropiane.

“Në anën tjetër, marrë parasysh papërgjegjësinë totale të tyre reagimi i vaktë i shoqërisë është tregues se Kosova qëndron larg nivelit evropian të të bërit politike dhe për të menaxhuar shtetin. Fatkeqësisht, kjo gjendje ka shtrirje edhe më të gjerë se institucionet shtetërore”, shton ai.

Kritikat e ashpra të presidentes Osmani të drejtuara krerëve institucional, në vlerësimin e ish-diplomatit kosovar, Blerim Canaj, është reflektim i mosmarrëveshjeve dhe inateve fëmijërore të brendshme për çështje jetike për vendin.

“Presidentja me këtë deklaratë lë të kuptoj që me letrën e dërguar Asociacioni është temë e kryer”, thotë ai për Albanian Post.

Për ish-konsullin e Kosovës në Gjermani zhvillimet e fundit mbi çështjen e Asociacionit janë tregues se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është në fazën e vështirë të ambalazhimit të këtij mekanizmi para se të servoj atë para publikut.

“Kryeministrit i duhet një paketim tejet mashtrues për Asociacionin që të ia servojë qytetarit, pasi që kjo ka qenë edhe një nga kauzat e tij kryesore me çka edhe ka fituar zgjedhjet”, shton ai.

Kosova nuk ishte në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të votohej pro ose kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar.

Arsyeja e mos-trajtimit të çështjes së Kosovës në Komitetin e Ministrave ishte kushti që Franca, Gjermania e Italia artikuluan publikisht, e që Kosova refuzoi ta plotësojë me arsyetimin se kërkesa ishte absurde.

Shtetet më të fuqishme brenda Bashkimit Evropian kërkuan që Kosova të procedojë tutje me Asociacionin – të paktën ta dërgojë draft-statusin e këtij mekanizmi në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.

Një ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, njoftoi se ka dërguar një letër në adresë së Këshillit të Evropës, ku zotohej se do të përgatisin një draft-statut të ri të Asociacionit e ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese deri në fund të muajit maj.

Një zotim i tillë u shpërfilli nga Këshilli i Evropës, ndërkohë Zyra e Presidentes reagoi ndaj këtij vendimi duke theksuar se ky institucion nuk u konsultua paraprakisht për letrën e dërguar.

Pas dështimit të anëtarësimit në KiE, Gërvalla në një konferencë për media njoftoi se oferta e Kosovës për Asociacionin nuk vlen më. Ndërkohë ky mos-koordinim paraprak ndërmjet institucioneve shkaktoi një përçarje të thellë në mes të presidentes Osmani e ekzekutivit kosovar.