Lajme

Konsorciumi gjerman në ndjekje të emetimeve të baterive të makinave elektrike


Një konsorcium i financuar nga prodhuesit gjermanë të makinave dhe baterive do të zhvillojë një “pasaportë baterie” që gjurmon përmbajtjen dhe gjurmën e karbonit të baterive në Evropë.

Në të përfshihen kompani, si: BMW, Umicore dhe BASF.

Kështu ka bërë me dije të hënën e 25 prillit Ministria Gjermane e Ekonomisë.

Konsorciumi prej 11 partnerësh ka marrë 8.2 milionë euro financim qeveritar për të zhvilluar një klasifikim dhe standarde të përbashkëta për mbledhjen dhe zbulimin e të dhënave mbi bateritë.

Së shpejti, ato mund të bëhen të detyrueshme sipas rregulloreve të Bashkimit Evropian.

Referuar një propozimi të Komisionit Evropian, automjetet elektrike të rikarikueshme, transporti i lehtë dhe bateritë industriale të shitura në Evropë duhet të zbulojnë gjurmët e karbonit nga viti 2024.

Po ashtu, duhet të jenë në përputhje me një kufi të emetimeve të karbonit nga viti 2027.

Gjithashtu duhet të zbulojnë përmbajtjen e lëndëve të para të ricikluara në ato bateri që nga viti 2027, ndjekur nga kërkesat për të përdorur një pjesë minimale të kobaltit, litiumit, nikelit dhe plumbit të ricikluar nga viti 2030.

Në Evropë, konsorciumi gjerman është projekti i parë që përpiqet të krijojë një produkt digjital për të përmbushur këto rregullore.

Bateritë mund të mbajnë një kod që lidhet me një bazë të dhënash në internet ku pronarët, bizneset ose rregullatorët e automjeteve elektrike mund të kenë akses në informacion mbi përbërjen e baterisë.

Pritet që ky mjet digjital ta bëjë më të lehtë riciklimin e lëndëve të para brenda baterive, çka do të zvogëlojë varësinë nga furnizuesit e huaj që kontrollojnë shumicën dërrmuese të burimeve, si litiumi dhe nikeli, thelbësore për prodhimin e baterive.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore