Lajme

Konkursi i kurdisur: Vazhdon punësimi masiv i anëtarëve të Vetëvendosjes në poste shtetërore, punësohet edhe asistentja e Albulena Haxhiut si inspektore


Foto nga Albanian Post

Elma Krasniqi, asistente ekzekutive e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, është punësuar si Inspektore e Tregut, derisa pozitë si Inspektor Tregu ka fituar edhe Adnan Reka, i cili aktualisht është asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Kaçanik.

Sipas vendimit të shpallur nga Ministria e Punëve të Brendshme, Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik, të cilin e ka siguruar Albanian Post, në këtë fazë janë pranuar shtatë Inspektorë Tregu gjithsejtë dhe AP ka arritur të verifikojë se dy prej tyre janë të ardhur me porosi nga Vetëvendosje.

Albanian Post ka informacione se edhe kandidatët e tjerë janë të punësuar partiakisht, por këto informacione ende nuk janë të konfirmuara.

Të kontaktuar në telefon nga mediumi edhe Adnan Reka edhe Elma Krasniqi e kanë pranuar se janë punësuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe të dy po ashtu e kanë pranuar se janë anëtarë të Vetëvendosjes.

Punësimi i anëtarëve të partisë në pozita të nëpunësve civilë në administratë ka qenë një nga kritikat kryesore të Vetëvendosjes sa ishte në opozitë. Kurti kishte premtuar se nuk do të ndodhë në qeverisjen e tyre që të bëhen punësime partiake e familjare.

I kontaktuar nga Albanian Post, Reka tha se “nuk e besoj” të jetë arsye e punësimit fakti që është anëtar dhe asamblist i Vetëvendosjes. Por, a ia lejon ligji që të mbajë dy puna të shtetit njëkohësisht? Reka pohoi se “nuk e di”.

Ai deklaroi edhe se do ta shikojë çfarë thotë ligji tash pasi është pranuar dhe se “më tepër nuk mund të flas”, sepse “jam i zënë”.

“Tepër” s’mund të fliste as Elma Krasniqi, asistentja ekzekutive e Albulena Haxhiut, e cila tha se te Haxhiu e ka lënë punën para katër muajve.

Rastësi ose jo, pikërisht në kohën kur ishte shpallur konkursi për inspektorë nga MINT.

“Po e kam problem t’u dëgjoj, me siguri as ju s’po më dëgjoni mua”, tha njëherë Krasniqi, derisa akuzoi se “pyetjet i keni me tendencë”.

“Më tepër nuk mund të flas, nëse keni diçka mu referoni me shkrim”, pohoi në fund Krasniqi dhe ndërpreu bisedën.

Pikërisht para katër muajve, me 20 korrik të këtij viti, Albanian Post pati raportuar se si ministrja Rozeta Hajdari anuloi konkursin e brendshëm për 27 inspektorë pa bazë ligjore për t’i hap rrugë rekrutimit të militantëve.

Rozeta Hajdari anuloi konkursin e brendshëm për 27 inspektorë pa bazë ligjore, i hap rrugë rekrutimit të militantëve

Në këtë konkurs kishin të drejtë të aplikonin vetëm punonjësit e administratës publike, por jo edhe qytetarë që nuk janë pjesë e institucioneve.

Por drejtuesit e MINT, përfshirë kabinetin e ministres Rozeta Hajdari, në bashkëpunim me zëvendësuesen e kryeshefes së inspektoratit, Lebibe Haliti, që është edhe motra e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, konkursin e brendshëm e anuluan me një arsye krejt të çuditshme se “askush nuk i ka plotësuar kriteret e konkursit”.

Si është e mundur që të mos plotësojë kushtet asnjë nga konkurrentët, kur të gjithë që kishin aplikuar në këtë konkurs kishin qenë për shumë vjet pjesë e administratës publike?

Burime të AP atëherë i patën treguar mediumit se ky skenar ishte përgatitur qëllimshëm.

Për ta vërtetuar paligjshmërinë e anulimit të këtij konkursi Albanian Post kishte folur me njërin nga konkurrentët që është pjesë e MINT, i cili në kushte anonimiteti sqaronte se “motra e deputetit (Lebibe Haliti) në bashkëpunim me kabinetin e ministres kanë anuluar konkursin e brendshëm për t’i hapur rrugë konkursit të jashtëm për rekrutimin e militantëve”.

Kjo, “pa kurrfarë baze ligjore”.

“Si ka mundësi që nga afër 100 persona qe kemi konkurruar, askush nuk i ka plotësuar kriteret e konkursit, kur dihet që të gjithë jemi pjesë e administratës shtetërore për shumë vjet. Ka pasur aplikues që kanë pasur përvojë afër 20 vjet”, pati treguar.

Ashtu siç edhe pritej, Ministria kishte shpallur konkurs të jashtëm.

Me 3 tetor AP raporti se si konkursin e jashtëm e kishin vërshuar partiakë të Vetëvendosjes.

Qeveria kurdis konkursin për Inspektorë me qëllim të punësimit të zyrtarëve të partisë e militantëve, Albanian Post zbulon emrat

Aty kishte ish-kandidatë për kryetarë komunash nga Lëvizja Vetëvendosje, asamblistë nga Lëvizja Vetëvendosje, zyrtarë të qendrave të Lëvizjes Vetëvendose e anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Këto për 27 vende të lira.

Nga të pranuarit e parë, siç kuptohet shumica janë (dy të konfirmuar) anëtarë dhe zyrtarë të VV-së.

Të tjerët do të pranohen në ndërkohë dhe AP do të vazhdojë të përcjellë rekrutimin e tyre.

Nga informacionet fillestare brena ministrisë, tashmë është e vendosur që shumica do jenë të Vetëvendosjes.

Si u bë kurdisja?

Ministrja e Vetëvendosjes Rozeta Hajdari, që drejton Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, fillimisht e shpalli konkursin e brendshëm për 27 inspektorë, më pas e anuloi me arsyetimin se nuk i plotësonte askush kriteret.

Këtë e bëri pa bazë ligjore. Gjithçka po bëhej për t’i hapur rruga punësimit të militantëve të Vetëvendosjes.

Më 1 mars 2023 ministria e Hajdarit shpalli konkursin. Më 18 prill të po të njëjtit vit e anuloi.

Përkundër që në të aplikuan shumë zyrtarë, komisioni i ministrisë vlerësoi se askush nuk i plotësonte kriteret.

Proceduralisht ministria obligohej ta ndiqte këtë rrugë, për të ardhur deri te shpallje e konkursit të jashtëm. Për realizimin e këtij veprimi, Rozeta Hajdari, u ndihmua nga atëherë kryeshefja e inspektoratit Lebibe Haliti, motra e deputetit të Vetëvendosjes, Enver Haliti.

Pasi e dështuan konkursin e brendshëm, më 14 korrik 2023 ministria hapi konkursin e jashtëm.

Për ta vërtetuar paligjshmërinë e anulimit të këtij konkursi Albanian Post ka folur me njërin nga konkurrentët që është pjesë e MINT, por që nuk ka pranuar të flas me emër, për shkak të rrezikut të hakmarrjes.

Ai ka treguar se në fillim janë ftuar për intervistim, por rrugës e kanë kuptuar se gjithçka ishte vetëm një farsë nga ana e ministrisë, sepse po bëhej gati që konkursi të shpallej i jashtëm.

“Motra e deputetit (Lebibe Haliti) në bashkëpunim me kabinetin e ministres kanë anuluar konkursin e brendshëm për t’i hapur rrugë konkursit të jashtëm për rekrutimin e militantëve. Pa kurrfarë baze ligjore është anuluar ky konkurs dhe kjo vërtetohet shumë lehtë duke lexuar arsyetimin e anulimit. Si ka mundësi që nga afër 100 persona qe kemi konkurruar, askush nuk i ka plotësuar kriteret e konkursit, kur dihet që të gjithë jemi pjesë e administratës shtetërore për shumë vjet. Ka pasur aplikues që kanë pasur përvojë afër 20 vjet”, ka thënë njëri nga konkurrentët në këtë konkurs.

“Të paktën vetëm nga stafi i MINT kanë aplikuar afër 30 zyrtarë dhe të gjitha i kanë plotësuar kriteret, mirëpo rrugës e kemi kuptuar se gjithçka është e kurdisur dhe as nuk jemi ftuar për intervistim”, ka treguar ky zyrtar për AP.

Se sa është absurd pretendimi që asnjë nga kandidatët s’i plotësojë kushtet për asnjë nga vendet e lira, mjafton të prezantohen kriteret e konkursit të brendshëm që i kishte vendosur MINT.

“Kushtet për lëvizjen brenda kategorisë dhe kërkesat e veçanta:  1.Të jetë nëpunes civilë i të njëjtës kategori për të cilën aplikon. 2.Të jetë nëpunes civil i konfirmuar në detyrë në rastin e lëvizjes brenda kategorisë profesionale. 3.Të mos jetë ndëshkuar me ndonjë masë disiplinore që nuk është shuar ende. 4.Të jetë vlerësuar të paktën ‘mire’ për rezultatet në punë, të paktën gjatë dy viteve te fundit të vlerësimit. 5.Në rastin e konkurrimit për lëvizje brenda kategorisë profesionale të jetë vlerësuar të paktën mirë në vitin e fundit”, thuhet në kriteret e konkursit të brendshëm që e anuloi pushteti.

Sipas ligjit, kushdo që ka pozitën ekuivalente me atë të inspektorit dhe ka 3 vite përvojë pune në administratën publike dhe ka 3 vlerësime pozitive nga eprori i tij/saj plotëson kriterin e konkursit.

Kjo dëshmonte se nuk ekzistonte asnjë arsye për anulimin e konkursit të jashtëm, përveç faktit se po përgatitej punësimi njerëzve të partisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore