Lajme

Konkluzionet e Këshillit Evropian: Shprehim keqardhje që Kosova e Serbia s’po i zbatojnë marrëveshjet – do ketë pasoja


Ilustrim

Në konkluzionet e miratuara nga Këshilli Evropian në mbledhjen e së enjtes dhe të së premtes kanë shprehur “keqardhje” për mungesën e zbatimit nga Kosova dhe Serbia të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, 18 mars), të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Këshilli Evropian shpreh keqardhje për mungesën e zbatimit nga të dyja palët e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit dhe aneksit të zbatimit të saj, si dhe marrëveshjeve të tjera të arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në konkluzionet e Këshillit Evropian.

Në konkluzionet e miratuara nga 27 vendet e BE-së, bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i zbatojnë marrëveshjet, “pa vonesa dhe parakushte”, duke përfshirë edhe Asociacionin e Komunave më Shumicë Serbe – draftin e të cilit e ka pranuar tanimë kryeministri kosovar Albin Kurti.

“Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit”.

Kosova dhe Serbia, thuhet aty, “duhet të vazhdojnë përpjekjet e qëndrueshme për de-eskalim, si dhe të sigurojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Veri të Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur, me pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës”.

“Dështimi për të ulur tensionet do të ketë pasoja”, paralajmëron KE.

Tutje, Këshilli Evropian është shprehur “thellësisht” i shqetësuar për situatën e sigurisë në Veri të Kosovës, kjo pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit me 24 shtator.

“Bashkimi Evropian pret që autorët të arrestohen dhe të sillen shpejt para drejtësisë dhe Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në këtë drejtim”, thuhet në pikën e 28 të konkluzioneve nga 32 sa janë gjithsejtë.

Scholz: Kurti na premtoi se do ta themelojë Asociacionin

Të enjten e 26 tetorit në Bruksel Kosova e ka pranuar draftin e propozuar nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe përmes një deklarate pas takimit është shprehur e gatshme edhe që ta nënshkruajë pranimin e draftit, derisa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në një deklarim para gazetarëve ka thënë se edhe Serbia është pro atij drafti të propozuar nga pesëshja e top-diplomatëve që vizituan Prishtinën dhe Beogradin me 21 tetor.

Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës pas takimit me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni, konstatohet se Kurti ka deklaruar që “pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike”.

Neni 7 i Marrëveshjes Bazike të pranuar me 27 shkurt thotë se Kosova dhe Serbia “pajtohen që të sigurojnë një nivel të përshtatshëm të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë… përfshirë edhe financim nga Serbia dhe kanal direkt komunikimi me Qeverinë e Kosovës”.

Kurse neni 10 i Marrëveshjes thotë se “të dyja palët konfirmojnë zbatimin e obligimeve nga Marrëveshjet e kaluara të dialogut”, që nënkupton zbatimin edhe të Marrëveshjes së vitit 2013 ku shpaloset për herë të parë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Ndërsa Vuçiç u kumtoi gazetarëve pas takimit se për statutin e Asociacionit të propozuar nga bashkësia ndërkombëtare me 21 tetor “Serbia është e gatshme të punojë në të dhe të fillojë menjëherë zbatimin e tij”.

Përkundër se drafti i statutit nuk është bërë akoma publik zyrtarisht, 26 tetori shënon herën e parë që Kosova dhe Serbia janë në pajtim për të njëjtin draft për Asociacionin.

Pas takimit pati një adresim edhe nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili njoftoi se palëve iu prezantua “një model serioz evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe” dhe një plan për avancimin përpara.

Palët, siç tha Borrell, kanë pasur parakushte për planin përpara, “por ne do të insistojmë në një pajtim”.

Pajtim për statutin, mungesë nënshkrimesh, vazhdim takimesh, përfshirje e Shqipërisë, përfundim me zbatim – çka ndodhi e çka pritet të ndodhë pas bisedave të 26 tetorit në Bruksel

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore