Lajme

Konjufca: Qasja e BE-së për zbatimin e marrëveshjeve Kosovë – Serbi s’dërgon në rezultate, problemi qëndron tek kush i pari e bën hapin


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka deklaruar se qasja e Bashkimit Evropian në marrëveshjet Kosovë-Serbi, që secila duhet ta zbatojë pjesën e vet nuk do të funksionojë.

Sipas Konjufcës, problemi qëndron tek shteti i cili do të nisë zbatimin e marrëveshjeve, ai në një intervistë për mediumin ‘Zëri i Amerikës’, ka thënë se nuk është zgjidhje që të vendoset kjo formë pasi që nuk do të dërgoj në rezultate.

“Unë mendoj që qasja që të dy shtetet duhet në mënyrë të pavarur dhe krejtësisht të shkëputur ta zbatojnë marrëveshjen e Ohrit, secila duhet ta zbatojë pjesën e vet mendoj që s’është një plan që do të mund të ecë përpara”.

“Ka shumë probleme dhe problemet janë të natyrës se kush i pari po e bën hapin dhe në çfarë drejtimi”.

Ai tutje ka kritikuar Bashkimin Evropian për qasjen që sipas tij s’do të japë fare rezultate, duke thënë se Kosovën e rrezikon dhe mund ta përjetoj sërish ndonjë sulm të ngjashëm si ai i 24 shtatorit.

“Nuk mendoj që Perëndimi është serioz nga kuptimi se si ja kërkon njohjen Serbisë për Kosovën. Deri tani nuk më është dukur që Serbia ka ndjerë ndonjë presion serioz për ta njohur Kosovën, ashtu siç është bërë për Kosovën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Sa i përket draft-statutit të Asociacionit, Konjufca ka theksuar se i takonte Kosovës të prezantonte një statut të tillë.

“Unë nuk mendoj që ky ishte hapi më i mirë që e kishte bërë Bashkimi Evropian, në të vërtetë Bashkimit Evropian fare nuk i takonte që ta propozonte një statut të tillë. Rendi normal i gjendjes është që Republika e Kosovës të e prezantojë një statut të tillë, ky ka qenë edhe qëndrimi i qeverisë tonë një qëndrim i drejt dhe parimor të cilin unë e mbështes”.

Por, e ka arsyetuar BE-në duke thënë se kur procesi kishte ngecur ata janë munduar ta gjejnë një zgjidhje.

“Sa i përket propozimit të Bashkimit Evropian unë po mundohem ta shpjegoj arsyen përse ata janë ngutur me propozimin e një statuti të tillë, ka të bëjë me faktin që procesi ndoshta ngeci, marrëveshja e Ohrit nuk është nënshkruar nga ana e Serbisë, pastaj ndodhi edhe sulmi terrorist dhe agresioni akti i agresionit të Serbisë mbi Kosovën më 24 shtator, sulmi në fshatin e Banjës”.

“Bashkimi Evropian e kuptoi që kjo për një periudhë të gjatë do ta bllokoj procesin politik dhe procesin e dialogut me Serbinë, pikërisht për këtë arsye janë ngutur ta propozojnë një statut duke ia marrë një kompetencë vetë Republikës së Kosovës, vetë shtetit të Kosovës sepse kjo nuk i takon Bashkimit Evropian”.

Të shtunën e 11 nëntorit, për herë të parë, u publikua një draft-statut i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin u tha se është ai që Kosova e ka pranuar.

Draft-statuti që emisarët evropiano-amerikanë ia sollën kryeministrit Albin Kurti në zyrë më 21 tetor.

Ky draft, përmban 45 nene dhe ndahet në shtatë kapituj.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore