Lajme

Konjufca pritet t’i takojë Thaçin e Veselin në Hagë


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, këtë të diele pritet t’i takojë në Hagë ish-presidentin Hashim Thaçin dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin, të cilët akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuara për krime lufte “të paktën nga marsi 1998 deri në shtator 1999”.

Të shtunën e 18 qershorit, Konjufca ka takuar ish-deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimin, ish-zëdhënësin e UÇK-së Jakup Krasniqin si dhe Pjetër Shalën.

Konjufca, është takuar edhe me ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të cilët janë dënuar nga Gjykata e Hagës me 4 vjet e gjysmë burgim.

Gjykata Speciale është riemëruar si Gjykata e Zorit nga kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca.

Po bëhen dy vjet prejse janë arrestuar Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e të tjerët, por ende nuk ka filluar gjykimi dhe as nuk po lejohen që të mbrohen në liri. Kjo është edhe kritika kryesore e Konjufcës.

“Puna e saj deri tashme ka shumë defekte”, thotë ai në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, por “ajo që menjëherë ta merr vëmendjen, është se po bëhen dy vjet që këta janë të izoluar dhe procesi gjyqësor nuk po fillon”.

Konjufca është deri tash i vetmi nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, që i është pranuar kërkesa nga Thaçi dhe të tjerët, për t’i vizituar, pasi akuzat e mëdha që vinin nga VV sa ishte në opozitë, kishin krijuar hendek të madh mes dy palëve.

Shkak ky, që ish-krerët e UÇK-së nuk e pranuan në vizitë as ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, kur kërkoi t’i takonte në qendrat e paraburgimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore