Lajme

Konjufca: Për UÇK-në kërkohet drejtësi, për masakrat e Serbisë në Kosovë s’kërkohet


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti kanë bërë homazhe në 24-vjetorin e masakrës në burgun e Dubaravës.

Konjufca në një deklaratë për media e ka quajtur këtë akt “si më të shëmtuarin” që bëri Serbia në Kosovë.

“Jemi këtu për ta kujtuar aktin më të shëmtuar që e bëri Serbia. Ndonëse kanë kaluar 24 vjet dhe përgjegjësia është e shtetit serb, ende fatkeqësisht nuk ka drejtësi. I shoh edhe familjarët që për 24 vjet jetojnë me peshën e padrejtësisë”, tha Konjufca para gazetarëve.

Ndërsa, sipas tij kur flitet për gjykimin e UÇK-së ka drejtësi, kurse për masakrën e burgut të Dubravës nuk është shpallur asnjë i dënuar.

“Kur është puna për UÇK po ka drejtësi e për forcat paramilitare serbe, me përgjegjësi të qartë që dihet për gjithë fushatën e gjenocidit që e ka bërë në Kosovë, nuk po ka drejtësi”, deklaroi Konjufca.

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore