Kosova

Konjufca: Për pavarësi nderojmë krerët e UÇK-së që janë në Hagë, po përballen me akuza të pabaza


Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në ceremoninë e organizuar për nder të 16-të vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ka përmendur edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të cilët gjenden në paraburgim në Hagë nga Gjykata Speciale, të akuzuar për krime të pretenduara lufte, duke i konsideruar akuzat ndaj tyre si të baza.

“Më lejoni që sot t’i kujtojmë edhe të gjithë ata luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të cilët e bënë luftën e lavdishme, më të lavdishme që një ushtri mund ta bëjë, siç është lufta jonë për çlirimin dhe lirinë e popullit tonë. UÇK-ja është emblema më e rëndësishme në historinë e Kosovës sonë të lirë dhe të pavarur”, tha Konjufca.

“Dëshiroj pra që në ketë ditë historike t’i kujtojmë dhe t’i nderojmë edhe drejtuesit e luftës sonë çlirimtare që padrejtësisht nuk po mund të festojnë sot këtu me ne për shkak se ndodhen në një proces akuzash të pabazuara”, shtoi.

Kreu i kuvendit shtoi se shteti i Kosovës nuk do të bëhej realitet pa idealin e heronjve, të dëshmorëve, të martirëve, “të gjithë atyre që Kosovën s’mund ta përfytyronin ndryshe përveç se si të lirë dhe sovrane”.

“Prandaj, pavarësia e Kosovës si sinonim i lirisë sonë nuk mund të imagjinohet pa komandantin legjendar Adem Jashari, dhe sakrificën heroike të familjes Jashari, të cilët nuk hoqën dorë nga Kosova për asnjë çmim, duke bërë sakrificën më të lartë që mund të imagjinohet ashtu që kombit tonë t’i kthehet liria dhe dinjiteti”.

Kurti më në fund e përmend: Ishte Thaçi që lexoi deklaratën e pavarësisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore