Shqipëria

Konjufca në Shqipëri: Jam i habitur nga apatia e institucioneve shqiptare në raport me Gjykatën Speciale


Glauk Konjufca

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, është shprehur i habitur me neglizhencën e institucioneve të Shqipërisë në raport me Gjykatën Speciale, që po mban në paraburgim krerët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ka folur në një organizim të Institutit për Studime Sociale dhe Humane në Shqipëri, që po mban diskutim mbi themelimin, funksionimin dhe administrimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë.

“Institucionet shqiptare na kanë befasuar të gjithëve” njoftohet të ketë thënë Konjufca në diskutimin e tij.

Sipas burimit të Albanian Post brenda takimit, Konjufca është ankuar për vonesë në reagime të institucioneve të shtetit shqiptar.

“Personalisht jam shumë i habitur nga kjo apati”, ka deklaruar ai.

Pjesë e këtij diskutimi janë edhe përfaqësues të ekipit të mbrojtjes pranë Dhomave të Specializuara.

Ata kanë shpalosur parregullsitë me të cilat janë ballafaquar gjatë procesit si palë mbrojtëse në Speciale.

Gjithashtu, pjesëmarrës në diskutim janë edhe institucionet e Shqipërisë, duke filluar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Drejtësisë.

Konjufca është lideri politik i parë nga Kosova që do vizitojë të paraburgosurit në Hagë.

Udhëtimin do ta bëjë me 17 shkurt, ka konfirmuar shefi i kabinetit të Konjufcës, Ilir Kërçeli, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Bashkë me kryeparlamentarin Konjufca me datën 17 Qershor udhëtojmë për t’i vizituar ish krerët e UÇK-së në Hagë”, pati deklaruar ai.

Para Konjufcës, në vizitë tek Hashim Thaçi, Kadri Veseli e të tjerët që po mbahen në paraburgim kishte shprehur gatishmërinë të shkojë edhe ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, por të paraburgosurit nuk e kishin pranuar në vizitë.

Kjo, për shkak të së kaluarës politike dhe kundërshtive që kishin pasur Thaçi e Veseli me Lëvizjen Vetëvendosje, që i akuzonte vazhdimisht.

Edhe Konjufca është pjesë e Vetëvendosjes, por ai gjithmonë ka pasur një qasje më në takt me krerët e luftës dhe është treguar më i rafinuar në deklarime, ndryshe nga Haxhiu, që një herë e kishte quajtur Kadri Veselin, ish-kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, edhe “kriminel”.

Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është i pari nga politikanët e profilit të lartë që ka vizituar Thaçin dhe të tjerët në qendrat e paraburgimit.

Në arsyen e vizitës së tij, Rama kishte shkruar se vizitën po e realizon pasi “më ka marr malli”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore