Lajme

Konjufca kërkon nga BE-ja një samit të ngjashëm si të 2020-së


Foto nga arkivi. Samiti i Ballkanit Perëndimor në vitin 2020.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në konferencën për Diplomacinë, Sigurinë dhe Integrimin që është organizuar nga Komisioni i Jashtëm, ka bërë thirrje që të organizohet sërish një samit mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor i ngjashme me atë që ishte organizuar në vitin 2020.

Konjufca, në fjalimin e tij para pjesëmarrësve të Bashkimit Evropian, është shprehur se një konferencë e ngjashme është tejet e nevojshme.

“Do të bëja thirrje që aktivitetet që kanë qenë edhe në të kaluarën të organizuara nga Bashkimi Evropian, të mos i braktisim. Unë i inkurajoj edhe institucionet e BE-së, që njëra ndër konferencat më të rëndësishme që kishim së bashku vendet e Bashkimit Evropian mes Paralmentit Evropian dhe parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, të mos ndërprehen”.

Ai tutje ka potencuar se ka pasur një mungesë të kësaj konference në vitin 2022 dhe 2023.

“Kemi pasur një mungesë të kësaj konference në dy vitet e kaluara, ky nuk është lajm i mirë për rajonin dhe për Bashkimin Evropian, unë bëj thirrje që kjo konferencë të rikthehet. Para dy viteve unë morra pjesë”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Liderët e Bashkimit Evropian më 6 dhjetor të 2022-ës kishin rikonfirmuar përkushtimin e palëkundur për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në bllokun evropian.

Konferenca mes parlamenteve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, ishte mbajtur në 2020.

Kjo konferencë ishte mbajtur me qëllim që të forcohet perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht përforcimin e dimensionit parlamentar në procesin e zgjerimit.

Samiti ishte udhëhequr nën patronatin e presidentit të Parlamentit Evropian në atë kohë, David Maria Sassoli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore