Lajme

Konjufca i jep vërejtje Shalës për sharjen ndaj Kurtit


Kujtim Shala dhe Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i ka dhënë vërejtje deputetit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Kujtim Shala pas sharjes që i ka bërë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në seancën e Kuvendit të enjten.

Konjufca ka thënë se një vërejtje e tillë po shqiptohet për shkak të gjuhës joparlamentare të Shalës.

“Dua ta ngre një çështje sipas rregullores së Kuvendit, neni 65 lidhur me nënkryetarin Kujtim Shala. Zoti Shala të gjitha faktet tregojnë që keni përdorur një gjuhë joparlamentare, por pa mikrofon. Dhe për këtë rregullorja më obligon që sipas nenit 65 thotë pika e tretë që t’iu japim një vërejtje për këtë shkelje”, ka thënë Konjufca.

Kurse, Shala në fjalën e tij ka replikuar se vërejtjen mund t’ia dërgojnë me postë.

“Faleminderit, ma dërgoni vërejtjen me postë”, ka thënë ai.

Një nga figurat kryesore politike të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, e ka ofenduar rëndë kryeministrin e Kosovës duke përdorur një fjalor jashtëparlamentare për ta përshkruar qëndrimin e tij për Albin Kurtin.

Me marrëveshjen e arritur të Kurtit në Bruksel, për Shalën kryeministri ka marrë epitetin e tradhtarit.

Por, përveç emërtimit, Shala u zu në mikrofon edhe duke sharë.

Gjithçka ka ndodhur derisa kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, po fliste në foltore të Kuvendit. Pasi kreu fjalimin Krasniqi, të radhës për në foltore ishin nga Lidhje Demokratike e Kosovës.

Derisa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, po dilte për të thënë çfarë mendonte ai për marrëveshjen e Kurtit në Bruksel dhe në Ohër, Shala u dëgjua tek thotë frazën jo parlamentare.

Në Kuvendin e Kosovës po vazhdon seanca parlamentare me vetëm një pikë të rendit të ditës: Marrëveshjet me Serbinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore