Kosova

Konjufca diskuton me homologen polake për anëtarësimin e Kosovës në BE


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të hënën ka zhvilluar takim virtual me homologen e Polonisë, Elzbieta Witek.

Gjatë bashkëbisedimit është bërë e ditur se kanë trajtuar tema të rëndësishme për Kosovën, rajonin, Poloninë, Evropën dhe botën.

Konjufca, ka shprehur mirënjohje edhe për kontributin e Polonisë dhënë Kosovës.

“Shtetet tona janë në rrugën e tyre të përparimit dhe avancimit të marrëdhënieve dypalëshe, të bazuara në besim dhe respekt të ndërsjellë, dhe se jemi të përkushtuar për miqësi dhe partneritet afatgjatë me Poloninë. Ardhmëria e Republikës së Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor është në BE, prandaj preferojmë një rrugë të qartë përpara”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, dhe homologeja e Polonisë, Elżbieta Witek.

Gjithashtu, theksohet se Witek ka kërkuar të ketë sa më shumë solidaritet, bashkëpunim dhe harmonizim të të gjitha shteteve përkitazi me sanksionet kundër agresionit rus.

“Duke u ndërlidhur, Kryetari Konjufca e njoftoi homologen e tij polake lidhur me miratimin e rezolutës së Kuvendit për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, harmonizimin e politikës së jashtme të Kosovës me atë të BE-së dhe SHBA-së mbi sanksionet kundër Rusisë”.

“Po ashtu, e njoftoi se Kosova ka marrë vendim të akomodojë 5000 refugjatë dhe 20 gazetarë ukrainas. Në këtë krizë globale ne jemi rreshtuar përkrah popujve liridashës dhe demokratik, meqë edhe vetë kemi qenë viktimë e agresionit serb. Për më tepër pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia ndikon drejtpërdrejt edhe në sigurinë rajonale e më gjerë”.

Sipas Konjufcës dhe Witek sfidat e fundit kërkojnë unifikim dhe gatishmëri për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe bashkëpunimin e dimensionit parlamentar në mes të dy shteteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore