Lajme

Konjufca dhe Hajdari infektohen me COVID-19


Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca.

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari janë infektuar për herë të dyte më COVID-19.

Këtë e ka bërë të ditur në seancën parlamentare të mërkurën, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

“Kryetari ka rezultuar pozitiv me COVID-19 kështu që nuk mund të marrë pjesë në seancë, kjo është për njoftimin tuaj dhe natyrisht për njoftim të publikut. Edhe ministrja Hajdari ka rezultuar pozitiv dhe nuk mund të jetë e pranishme për prezantimin”, ka thënë Bogujevci.

Ndërsa shtoi se, “shpresojmë që do ta kalojë shumë shpejt dhe me lehtësi”.

Konjufca ishte infektuar me COVID-19 në fund të vitit 2020,

“Qytetarë të dashur, miq të çmuar, Desha ta ndaj me ju faktin që jam diagnostifikuar me virusin COVID-19. Kjo është një pandemi ndryshe nga të tjerat deri tash. Për ta mposhtur atë duhet bashkëpunim i secilit në koordinim me institucionet publike”, kishte shkruar Konjufca më një dhjetor 2020.

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca.

Kuvendi i Kosovës po e vazhdon seancën plenare me pikat e mbetura nga seancat e kaluara.

As në seancën e cila po mbahet s’ka pasur kuorum për ta votuar Rezolutën me të cilën kërkohet që të mos ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike.

Në votim kanë marrë pjesë 30 deputetë, ndërsa partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) s’ka marrë pjesë në seancë, por që deputetët e këtij subjekti kanë ardhur në seancë vetëm pas dështimit të kësaj pike.

Kjo pikë është shtyrë për një seancë të radhës.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë lëshuar sallën në vazhdimin e seancës plenare që po mbahet në Kuvend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore