Lajme

Konjufca: Deklarata e Klinakut, kërcenim i hapur


Glauk Konjufca

Si kërcënim të hapur për kryeministrin Albin Kurti e ka konsideruar Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deklaratën e ushtruesit të detyrës së Organizatës së Veteranëve të dalura nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, për Kurtin.

Klinaku në një postim në llogarinë e tij në Facebook tha se “më parë e vret Albin Kurtin sesa e lëshon Kosovën”.

Për Konjufcën kjo është një shprehje “shumë e papranueshme”, aq më tepër, theksoi ai, “që vjen nga një personalitet i cili përfaqëson një shoqatë kaq të respektuar”.

Albin Kurti, pohoi kreu i kuvendit, “është kryeministër i Kosovës, ai është zgjedhur nga populli i Kosovës, atë e kanë zgjedhur të zgjedhurit e popullit, është zgjedhur nga parlamenti; e ka legjitimitetin e plotë si kryeministër i Kosovës”.

“Kështu që të dalësh me deklarata të tilla ndaj një qeverie e cila e ka legjitimitetin e plotë nga ana e popullit, sepse populli ka menduar se kjo është zgjidhja më e mirë, është e papranueshme në një shtet i cili i thotë vetit vend demokratik”, deklaroi Konjufca para gazetarëve.

Ndërkaq, ai potencoi se kur thua që jemi demokraci, “atëherë ka gjykata, ka sundim të ligjit, ka çka është dallimi në mes të lirisë së shprehjes dhe çka është kërcënimi”.

“Nuk mund të kategorizohet kjo e Klinakut në liri të shprehjes”, pohoi ai, duke insistuar se “kjo nuk kishte fare të bënte me liri të shprehjes”.

“Kjo është kërcënim i hapur për kryeministrin e Kosovës, dhe si i tillë është i papranueshme”.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ushtruesi i detyrës së OVL e UÇK-së, të martën tha se as nuk e kam votuar, duke iu referuar qeverisë që udhëhiqet nga Albin Kurti, “as ndryshim për të mirë kurrsesi që nuk kam pritur nga ai”.

Sa i përket daljes jashtë, pohoi ai, “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.

Kjo deklaratë problematike e Klinakut ka marrë reagim të shumta duke e kundërshtuar një gjuhë të tillë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore