Shqipëria

Kongresi i III-të i Kujdesit Perinatal: Projekt pilot për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës


Përpjekja ishte për të zhvilluar një kongres multidisiplinar, për të trajtuar një sërë temash dhe për t’u ardhur në ndihmë mjekëve në profesionin e tyre.

Mbi të gjitha, në vëmendje ishin diskutimet rreth një projekti pilot që lidhet me parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.

Këtu u përqendrua Kongresi i III-të Ndërkombëtar i Kujdesit Perinatal, Riprodhimit Human dhe Andrologjisë, i cili u mbajt në Durrës për dy ditë radhazi.

Atje u bënë bashkë emrat më në zë në fushën e mjekësisë nga Shqipëria, Kosova, Italia, Anglia, Greqia dhe vende të tjera.

Në fokus të profesionistëve të mjekësisë ishin problematikat e shfaqura në shtatzëni, profilaksinë dhe trajtimin e kancerit të qafës së mitrës me protokollet e fundit bashkëkohore evropiane.

“Bordi Shkencor është përpjekur që të bëjë një kongres multidisiplinar, në mënyrë që të preken sa më shumë tema dhe t’ju vijmë në ndihmë mjekëve edhe me gjëra të thjeshta, të cilat janë të nevojshme në profesionin tonë”.

I kësaj teze është Arben Rrugia, presidenti i Shoqatës Shqiptare të Riprodhimit dhe Andrologjisë, i cili ndër të tjera ka vlerësuar edhe rëndësinë e kongresit.

Ai ka treguar se në ditën e parë janë nxjerrë protokolle që kanë të bëjnë me trajtimin e situatave prekanceroze të kancerit të qafës së mitrës.

Po ashtu në bashkëpunim me Presidenten e Federatës Evropiane të Kolposkopisë dhe Presidentin e Shoqatës Italiane të Kolposkopisë është rënë dakord për të krijuar disa kurse kolposkopie për mjekët shqiptarë.

Rugia ka zbuluar edhe planet për projektin pilot.

“Kemi folur dhe për një projekt pilot që lidhet me parandalimin e kancerit të qafës së mitrës që besoj se do ta vejmë në jetë shumë shpejt”, ka shtuar ai.

Nga të pranishmit, kongresi është cilësuar si pika e fillimit të bashkëpunimit midis mjekëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Dhe se temat e trajtuara kanë rëndësi të veçantë.

“Në disa diskutime theksi u vu në këtë që të depistojmë herët praninë e virusit te mosha aktive seksuale, t’i ndihmojmë këto zonja të diagnostikohen dhe trajtohen në mënyrë që të mos kalojnë në fazat e avancuara”, ka treguar Mirela Rista, mjeke gjinekologe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore