Kosova

Komunat kërkojnë nga Murati lëshimin e qarkores së dytë buxhetore: Rrezik për vonesa në planifikimin e buxhetit për 2025


Kryetari i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, kryetari i Ferizajit Agim Aliu dhe kryetari i Skenderajt Fadil Nura, foto: Albanian Post

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka kërkuar urgjentisht nga ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, që ta lëshojë qarkoren e dytë buxhetore për komunat e Kosovës – në të kundërtën komunat rrezikohen të vonohen në planifikim e saktë buxhetor për vitin 2025.

Nga komunat është sqaruar se lëshimi i kësaj qarkoreje u mundëson komunave që të fillojnë procesin final të planifikimit buxhetor.

“AKK shprehet e brengosur që nëse një gjë e tillë nuk ndodh, komunat nuk do mund t’i zhvillojnë debatet me qytetar dhe kjo mund të dërgoj në mos-planifikim të mirë buxhetor dhe në mos-përmbushjen e kërkesave të qytetarëve në realizimim e nevojave të tyre”.

“Gjithashtu, mos-dorëzimi i buxhetit më datën 1 shtator u kushton komunave me humbje të pikëve në Raportin e Performancës, respektivisht penalizohen nga përfitimet financiare nga Granti i Performancës”, thuhet në komunikatë.

Në njoftim është theksuar se s’është hera e parë që ky dikaster e dërgon shumë vonë këtë qarkore dhe i rrezikon komunat.

“Që mos të kenë mundësi teknike që ta dorëzojnë buxhetin me kohë pranë Kuvendeve të Komunave, me saktësisht me datën 1 Shtator që është obligim ligjor që buxheti t’i dorëzohet Kuvendit të Komunës”.

Ndërsa, sqarohet se pa qarkoren e dytë buxhetore, komunat nuk i dinë as kufijtë përfundimtar si organizata buxhetore dhe kjo pamundëson direkt dorëzimin e buxehtit në Kuvendin e Komunës.

“Nëse ndodhë që MFTP të vonohet edhe më tutje, bordi i AKK thekson që e gjithë përgjegjësia duhet të bijë mbi ministrin Murati, që deri më tani është treguar neglizhent në raport me kërkesat e komunave”.

Po ashtu, Ministria e Punës, Financave dhe Transfereve po vazhdon t’i mbajë të bllokuara të hyrat vetanake të komunave që i përkasin vitit 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore