Kosova

Komuna e Pejës pas vërshimeve kërkon nga qytetarët të kufizojnë lëvizjet me vetura – do të bëhet pastrimi i rrugëve


Komuna e Pejës.

Komuna e Pejës ka kërkuar nga qytetarët që të kufizojnë lëvizjet me vetura gjatë ditës së martë.

Përmes një komunikate për media është thënë se pas vërshimeve që kishin ndodhur të shtunën, rrugët kanë mbetur të mbuluara nga balta.

Prandaj, është thënë se të martën do të bëhet pastrimi i tyre.

“Të nderur qytetar të Komunës së Pejës, kërkojmë nga ju që nesër ditë e martë me datë 27.06.2023, maksimalisht ti kufizoni lëvizjet me vetura nëpër rrugët e qytetit të Pejës”.

“Me qëllim të pastrimit të tyre, Komuna e Pejës do të angazhoj disa cisterna, e ku do të ndihmohet edhe nga Komunat e rajonit, Istogu, Deçani dhe Gjakova. Poashtu për ndihmë na janë ofruar edhe shumë komuna tjera, për të cilën gjë ne ju jemi mirënjohës”.

Tutje nga komuna është thënë se kërkojnë mirëkuptim nga qytetarët.

“Andaj me qëllim të mos pengimit, mos dëmtimit eventual të  veturave gjatë pastrimit të rrugëve dhe mos krijimit të tollovive në trafik, me mirëkuptim kërkojmë nga ju që  maksimalisht të reduktoni lëvizjet me automjete nëpër rrugët në qytet”.

Në nderim të viktimave që kanë humbur jetën të shtunën në Pejë si pasojë e vërshimeve, Komuna e Pejës kishte vendosur që ditën e hënë ta shpallë ditë zie.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media.

Në këtë komunikatë sqarohej se të gjitha angazhimet e planifikuar për ditën e hënë ishin pezulluar.

Të shtunën e 24 qershorit, pas vërshimeve në Pejë kishin humbur jetën nënë e bir të shtunën dhe janë lënduar dy persona si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.

Një prokurore e krimeve të rënda nga Prokuroria e Pejës ka dalë në vend të ngjarjes ku kanë humbur jetën nënë e bir të shtunën dhe janë lënduar dy persona si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.

“Prokurorja e krimeve të rënda bashkë me hetuesit policorë edhe sot ka dal në vend të ngjarjes për të parë nga afër edhe njëherë vendin e ngjarjes. Për fat të keq, një fëmijë dhe një grua kanë humbur jetën nga përmbytjet”, tha për Albanian Post zëdhënësi i kësaj prokurorie Shkodran Nikçi.

Në anën tjetër, Milaim Ademaj, familjar i viktimave, ka thënë se nga vërshimet një pjesë e kodrës ka rrëshqitur duke e zënë kështu djalin pesëvjeçar.

Ai ka treguar se nënën e pesë vjeçarit pas shumë kërkimeve e kanë gjetur në një bodrum në një shtëpi, derisa ka theksuar se në rrezik kanë qenë edhe dy fëmijë të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore