Lajme

Kompania serbe e lidhur me “Gazprom” dyshohet për spiunazh në Rumani


Punonjësit e Drejtorisë për Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit (DIICOT) të Rumanisë kryen të hënën kontrolle në adresat e kompanisë serbe NIS Petrol, e cila kontrollohet nga Gazprom i Rusisë.

Lajmi u bë i ditur nga “Radio România Actualități” dhe “Opinia Timisoarei” duke iu referuar burimeve.

Kontrollet janë kryer në pesë adresa të NIS Petrol në qytetin e Timisoara-s dhe tre të tjera në Bukuresht, ku ndodhet selia e kompanisë, si dhe në shtëpitë e disa punonjësve “me qëllim mbledhjen e dokumenteve dhe provave të tjera”.

Një video tashmë është postuar në internet që tregon përfaqësues të agjencive rumune të zbatimit të ligjit pranë zyrës së NIS Petrol në Timisoara. Kompania serbe ende nuk ka komentuar situatën.

Sipas burimeve të masmedias rumune, kërkimet lidhen me transferimin e paligjshëm të informacionit konfidencial në lidhje me eksplorimin e fushave të naftës dhe gazit në qarkun Timiş që nga viti 2014.

Tetë zyrtarë të NIS Petrol pritet të dërgohen në selinë e DIICOT-it për t’u marrë në pyetje.

NIS Petrol është një kompani serbe e naftës që operon në Evropën Juglindore dhe është pjesë e grupit rus Gazprom Neft.

Në vitin 2014, kompania filloi kërkimin e naftës dhe gazit në disa zona të qarkut Timiş.

Zyrtarët e NIS Petrol thanë në atë kohë se po kryenin kërkime pa eksploziv, duke përdorur dridhje të kontrolluara të prodhuara nga një sistem hidraulik.

Bashkia e Dudestii-Vekit i dha kompanisë një certifikatë për ndërtimin e pusit të parë kërkimor të naftës dhe gazit, i cili do të vendosej brenda një rrezeje kilometrike nga ndërtesat e banimit.

Por banorët e disa lokaliteteve penguan përfundimin e ndërtimit duke protestuar kundër veprimeve të NIS Petrol.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore