Lajme

Kompania indiane e tërheq njoftimin për pezullimin e shërbimit të vizave për kanadezët


Ofruesi indian i shërbimit të konsulencës së vizave ka tërhequr një njoftim për pezullimin e shërbimeve të vizave për qytetarët kanadezë, pak minuta pasi deklaroi se shërbimet u pezulluan pas një njoftimi nga misioni indian.

BLS International deklaroi më herët se njoftimi përmendte “arsye operacionale” për pezullimin e shërbimeve të vizave deri në njoftimin e mëtejshëm.

Tensionet midis dy vendeve u përshkallëzuan në fillim të kësaj jave kur Kanadaja ka thënë se “po ndiqte në mënyrë aktive akuza të besueshme” që lidhnin agjentët e qeverisë indiane me vrasjen e një udhëheqësi separatist Sikh në Kolumbinë Britanike në qershor.

Por qeveria e kryeministrit Narendra Modi i ka hedhur poshtë kategorikisht dyshimet e Kanadasë se agjentët indianë kishin lidhje me vrasjen.

Kriza diplomatike midis Kanadasë dhe Indisë

India dhe Kanadaja dëbuan secila nga një diplomat të lartë pas vrasjes së një udhëheqësi sikh në Kanadanë perëndimore qershorin e kaluar.

Autoritetet indiane njoftuan se kishin urdhëruar një diplomat të rangut të lartë kanadez të largohej nga vendi të martën më 19 shtator, disa orë pasi Otawa zyrtare dëboi një diplomat indian.

Vendimi i New Delhi-t pasqyron “shqetësimin e tij në rritje për ndërhyrjen e diplomatëve kanadezë në punët tona të brendshme dhe përfshirjen e tyre në aktivitetet anti-indiane”, shpjegoi Ministria e Punëve të Jashtme në një njoftim për shtyp.

Kanadaja dëboi një diplomat indian, duke besuar se New Delhi mund të jetë përgjegjës për vrasjen e një lideri sikh në Kanadanë perëndimore qershorin e kaluar, deklaroi ministrja kanadeze e Punëve të Jashtme.

“Akuzat se një përfaqësues i një qeverie të huaj mund të jetë përfshirë në vrasjen e një qytetari kanadez këtu në Kanada, në tokën kanadeze, jo vetëm që janë shqetësuese, por janë plotësisht të papranueshme”, tha Mélanie Joly. “Prandaj, sot dëbuam një diplomat të lartë indian nga Kanadaja”.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha në një fjalim të minutës së fundit në Parlament, pasi thirri urgjentisht opozitën, se kishte ” elementë të besueshëm sipas të cilëve ekzistonte një lidhje e mundshme midis agjentëve të qeverisë së Indisë dhe vrasjes së Hardeep Singh Nijjar, qytetar kanadez”.

“Përfshirja e çdo qeverie të huaj në vrasjen e një qytetari kanadez në tokën kanadeze përbën një shkelje të papranueshme të sovranitetit tonë”, vazhdoi ai.

Justin Trudeau i kërkoi “me vendosmërinë më të madhe” qeverisë indiane që të bashkëpunojë në sqarimin e kësaj çështjeje.

Ministria e Punëve të Jashtme të Indisë reagoi të martën duke i përshkruar akuzat e Otawa-s si “absurde”.

“Akuzat për përfshirjen e qeverisë indiane në çdo akt dhune në Kanada janë absurde”, tha ministria në një deklaratë, duke shtuar: “Ne jemi një shtet demokratik me një përkushtim të fortë ndaj sundimit të ligjit”.

Marrëdhëniet mes dy vendeve janë acaruar muajt e fundit që nga vrasja e liderit Sikh dhe protestat që pasuan në Kanada.

Otawa veçanërisht kohët e fundit pezulloi negociatat për një marrëveshje të tregtisë së lirë me Indinë.

New Delhi akuzon qeverinë kanadeze për mbylljen e syve ndaj aktiviteteve të nacionalistëve radikalë sikh, të cilët mbrojnë krijimin e një shteti të pavarur sikh në Indinë veriore.

Kryeministri indian, Narendra Modi, shprehu “shqetësimet e tij të thella për aktivitetet e vazhdueshme anti-indiane të elementëve ekstremistë në Kanada” gjatë takimit të tij me Justin Trudeau, me rastin e mbledhjes së fundit të G20 në Indi, në fillim të shtatorit.

Kanadaja është vendi me numrin më të madh të Sikh-ëve jashtë shtetit të tyre të origjinës Punjab, Indi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore