Lajme

Kompania “Apetit sh.p.k” e shiti mishin e Brazilit për të Kosovës, Peci: Brazili ka mish me kualitet shumë të lartë


Faton Peci

Ndonëse u konfirmua se kompania kosovare “Apetit sh.p.k” ka blerë mish nga Brazili dhe atë e ka shitur në Shqipëri si mish me origjinë nga Kosova, duke falsifikuar dokumentet në bashkëpunim ilegale me inspektorët e shtetit, Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, dikasteri i të cilit mbikëqyrë Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), ka refuzuar të përmend emrin e kompanisë kosovare në fjalë me arsyetimin e “prezumimit të pafajësisë”.

Peci ka potencuar se nuk dëshiron të përmend emra në këtë fazë meqë ai si ministër ende nuk i ka vërtetuat të gjitha “faktet dhe argumentet”.

“Nuk preferojë të përdor emra përderisa nuk e kam të vërtetuar gjitha faktet dhe argumentet që do të dalin në ditët në vijim. Nuk po dëshirojë të përmend emra për shkak se nuk dua të ndërhyjë as ta dëmtojë asnjë operator ekonomik”, është arsyetuar ai në një intervistë për Kanal 10.

Në pyetjen insistuese të gazetarit për faktet që tashmë janë publike lidhur me falsifikimin që kompania kosovare “Apetit sh.p.k” ka bërë me mishin e blerë nga Brazili, Peci sërish ka refuzuar të përgjigjet duke thënë se “nuk mund të them nëse është e vërtetë apo nuk është e vërtetë”.

Ndërkohë ai në tentim për ta amortizuar këtë skandal ka potencuar se Brazili është në mesin e tre shteteve eksportuese më të mëdhenj të mishit në të gjithë globin.

“Unë personalisht jam i interesuar dhe kam marrë informacione që Brazili din të prodhojë dhe të eksportojë mish të kualitetit shumë të lartë. Distanca e transportit tash me teknologji ka mundësi edhe të ruajtjes të gjitha parametrave edhe në aspektin shëndetësor edhe në aspektin e sigurisë ushqimore”.

Ndryshe lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), e cila urdhëroi ndaljen e menjëhershme të lëshimit të dokumenteve për eksport për biznesin e “Apetit sh.p.k”.

Çfarë ka ndodhur?

Kompania me bazë në Kosovë “Apetit sh.p.k” blen mish nga Brazili, i cili vjen fillimisht në Shqipëri e që për destinacion final ka Kosovën.

Kur kjo kompani e merr mishin nga Brazili, përmes lidhjeve ilegale dhe korrupsionit në Agjencinë Shtetërore të Kosovës për Ushqim dhe Veterinari, që është në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, i heq vulat e Brazilit dhe i zëvendëson me vula të shtetit të Kosovës.

Më pas këtë mish e shet në Kosovë, por edhe e eksporton në Shqipëri.

Vetëm në vitin 2023 kishte rreth 600 tonë mish të eksportuar në Shqipëri nga Kosova.

Ky mish eksportohet si “mish vici i freskët i Kosovës”.

Në paketime vendosen vula të Kosovës me data fiktive, se kinse gjethet janë prerë vetëm para një muaji në Kosovë.

Këtë skandal fillimisht e zbuloi emisioni Stop në Klan të Shqipërisë.

Për t’u kryer ky operacion kriminal duhet të funksionojë një zinxhir i tërë i mashtrimit, nga pjesa e veterinarit që nuk bën kontroll të gjetheve të prera, te inspektori i AUVK-it, në Doganën e Kosovës e deri te pranuesi në Shqipëri.

Reagon AUVK-u: Kompanisë “Apetit sh.p.k” i ndalohet eksporti – e shiti mishin e Brazilit për të Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore