Shqipëria

Komiteti Teknik lë në fuqi të njëjtat masa, nuk lejohen grumbullimet


Një ditë përpara hapjes së fushatës elektorale, për zgjedhjet e 25 prillit, Komiteti Teknik i Ekspertëve deklaroi se edhe në dy javët e ardhshme nuk do të lejohen grumbullimet në më shumë se 10 veta.

Komiteti ka vendosur që masat do të jenë të njëjta edhe për dy javët e ardhshme.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, tha se ora policore do të qëndrojë e njëjta dhe për dy javët e ardhshme, nga ora 20:00 deri në orën e gjashtë të mëngjesit.

Ndërkohë, baret dhe restorantet do të mund të punojnë deri në orën 20:00. Më pas, mund të punojë vetëm shërbimi delivery.

Rakacolli pohoi se “ka një tendencë ulje, që është e qëndrueshme. Këto shifra janë si rezultat i efikasitetit të masave të propozuara nga Komiteti, por dhe një tendence pozitive në respektimin e masave nga popullata”.

Njoftohet se ka një përmirësim të lehtë të zbatimit të masave nga qytetarët, ndonëse ato nuk po respektohen në nivelet e duhura.

Gjithashtu Rakacolli rikonfirmoi se Evropa po përballet me një rritje të rasteve dhe disa vende po hyjnë në valën e tretë.

“Rritje të rasteve kemi në Itali dhe Gjermani. Pavarësisht uljes së indikatorëve, mbeten në nivelin që të sugjerojnë që situata vazhdon të jetë delikate dhe jo të kënaqur, ndaj komiteti ka vendosur që masat, të cilat kanë qenë të efektshme, të mbeten në të njëjtin nivel edhe për dy javë të tjera. Vijon të jetë e njëjta orë policore”, përmbylli zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore