Komisioni për dezinformimin nis punën pa opozitën

SHFLETO
Vitjon Nina
26.06.2024 9:54
Loading Icons...

Ka nisur zyrtarisht punën Komisioni i Posaçëm kundër dezinformimit, i cili siç parashikohej, e ka zhvilluar seancën e parë pa praninë e opozitës së vendit.

Në seancën konstituuese, morën pjesë vetëm deputetët e mazhorancës, teksa drejtimin e Komisionit e mori siç ishte nga Partia Socialiste, deputeti Erion Braçe.

Kreu i grupit të PS, Bledi Çuçi, në një fjalë hapëse theksoi se ngritja e këtij komisioni s’ka të bëjë me luftën partiake.

“Vërtet është nga ato komisionet qe nuk duhet pare si pjese e luftës partiake mes mazhorances dhe opozitës. Me vjen keq qe koleget e opozitës ende sot nuk kane shprehur gatishmërinë për te ardhur”, nënvizoi fillimisht Çuçi në fjalën e tij.

Më tej, shtjelloi se dezinformimi është një fenomen historik prej Egjiptit të lashte dhe deri me sot, madje deri ne atë pike sa kane deformuar fakte historike.

“Ajo qe na ul sot ne këtë komision është shqetësimi qe ka bota perëndimore demokratike se ky fenomen mund te cenoje vlerat tona demokratike”, përmendi më tej Çuçi.

Në vijim të fjalës së tij, Çuçi tha se dizinformimi sot është një shqetësim qe lidhet me se shumti edhe me zhvillimin e teknologjisë e që bota demokratike duhet t’i përgjigjet siç duhet me vendosjen e rregullave.

“Besoj se ky komision është gjeja me e domosdoshme qe parlamenti shqiptar duhet te beje një ore e me pare. S’duhet të këtë asnjë paranoje qe ky komision do te ngrenë mazhorancën kundër lirisë se medias. Ne jemi këtu për te pare se si Shqipëria do ti’ përgjigjet këtij shqetësimi”, përmendi.

Po ashtu, ai konstatoi se duhen caktuar piketat me rregulla të qarta për të ndaluar dezinformimin dhe për të parë ambientin ku mund të tentojnë të depërtojnë vende jo mike me Shqipërinë.

Ai po ashtu, së bashku me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe me kryetarin e Komisionit, Braçe, i bëri thirrje opozitës që t’i bashkohet këtij organi të ri të Kuvendit dhe të mos e bojkotojë punën, por t’i japë rëndësinë e duhur fenomenit shqetësues.

Çfarë duhet pasur parasysh me dezinformim?

– Lajme të rreme (fake news): “rrëfime të rreme të ngjarjeve, të shkruara dhe të lexuara në faqet e internetit” sipas Fjalorit anglisht të Oksfordit. Qëllimi i lajmeve të rreme nuk është domosdoshmërisht të mashtrojë lexuesit ose të shkaktojë dëm.

– Keqinformim: Përmbajtja e rreme ose mashtruese e krijuar ose e shpërndarë jo domosdoshmërisht me qëllimin për të shkaktuar dëm, edhe pse rezultati i tij është dëmi.

– Dezinformim: Informacion i rremë ose mashtrues, të cilin përhapësit e përdorin qëllimisht për të shkaktuar dëm.

– Manipulimi i informacionit dhe ndërhyrja nga aktorët e huaj: një ndërhyrje e jashtme malinje, mjet i luftës hibride.

Sipas Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së, ai është “një model sjelljesh kryesisht jo ilegale që kërcënon ose potencialisht ka një ndikim negativ në vlerat, procedurat dhe proceset politike. Ky aktivitet, i cili ka karakter manipulues, zhvillohet në mënyrë të qëllimshme dhe të koordinuar.

Aktorët e këtyre aktiviteteve mund të jenë shtetërorë ose joshtetërorë, duke përfshirë proxy (përfaqësues) të tyre brenda dhe jashtë territorit të përfshirë”.