Lajme

Komisioni për Buxhet refuzon kërkesën e KOSTT-it për ndarjen e 33 milionë eurove për rrymën në Veri


Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, në mbledhjen e tij të radhës, ku po shqyrton në lexim të dytë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e vitit 2022, me shumicë votash ka refuzuar kërkesën e KOSTT-it, për ndarjen e shumës prej 33 milionë eurove nga buxheti për pagesën e rrymës në Veri të vendit.

Në mbledhjen ky po shqyrtohen kërkesat e institucioneve të ndryshme të Kosovës për mjete shtesë buxhetore, me shumicë votash Komisioni në fjalë ka refuzuar gjithashtu kërkesën e Institucionit të Avokatit të Popullit për krijimin e tetë pozitave të reja për punë, rritjen e fondit për paga dhe mëditje.

Dritën e gjelbër nga komisioni për rritje buxhetore nuk e ka marrë as Këshilli Gjyqësor.

Në anën tjetër ndaj këtyre refuzimeve ka reaguar ish-kryeministri i Kosovës, tashmë deputetë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se këto refuzime janë në kundërshtim me parimin e institucioneve.

Sipas Hotit, në këtë mënyrë siç po refuzohen kërkesat, Kuvendi i Kosovës do t’i duhet që buxhetin ta kaloj në lexim të tretë.

Avdullah Hoti, deputet në Kuvendin e Kosovës nga LDK

Ndërsa, kryesuesi i grupit punues nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, në kuadër të komisionit në fjalë ka treguar arsyet e refuzimeve duke potencuar se këto kërkesa po refuzohen për shkak të tavaneve buxhetore.

Gjatë mbledhjes, gjithashtu janë refuzuar dy kërkesat e ARKEP-it për rritjen e buxhetit për paga dhe mëditje.

Gjithashtu komisioni ka vendosur të mos përkrahë kërkesat e Agjencisë Kosova të Inteligjencës për punonjës shtesë dhe për paga.

Megjithatë ky komision ka miratuar vetëm tri kërkesa të institucioneve për rritje buxhetore, pra atë Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe pjesërisht Universitetit të Mitrovicës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore