Shqipëria

Komisioni i Reformës Territoriale, kërkohet rikthimi i ministrisë për pushtetin vendor


Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike (PD) ka publikuar raportin e tyre final sa i takon Reformës Territoriale.

Në Komisionin e ngritur për këtë çështje ekspertët e caktuar nga PD-ja kanë kërkuar ritjen e numrit të bashkive nga 61 në 92 bashki dhe uljen e numrit të qarqeve nga 12 në 6 rajone.

“Ne rekomandojmë modelin e pushteti vendor. Bazuar në analizën tonë rekomandojmë që Shqipëria të vazhdojë të mbajë qeverisje vendore me dy nivele dhe të përforcojë qeverisjen me shumë nivele”, tha eksperti Agron Haxhimali.

Ai kërkoi po ashtu, që Qeveria të rikthejë ministri të dedikuar për pushtetin vendor.

Edhe pse me dy grupime brenda së djathtës, krahu i Sali Berishës ka kërkuar të njëjtën gjë, por me ndryshim numrash: 95 bashki dhe pesë rajone.

Por, dihet që Partia Socialiste ka theksuar se nuk do të negociojë me asnjë grupim tjetër, përpos të kryetarit të Grupit Parlamentar demokrat, Enkejd Alibeaj.

Paraprakisht, mazhoranca, ka një qëndrim tjetër sa i takon reformës.

Nënkryetarja e Parlamentit dhe njëkohësisht deputetja e PS-së, Ermonela Felaj, ka bërë me dije se socialistët nuk janë dakord me propozimet e PD-së.

Sipas saj, mazhoranca është qartësisht e vendosur për ndarjen territoriale me 61 bashki dhe jo për shtimin e tyre.

Ndërsa, e vetmja arsye se pse ata do të pranonin ndryshime, do të ishte vetëm nëse këto modifikime të Kushtetutës, do t’i shërbenin qytetarëve.

“Kur reforma territoriale kërkohet për llogari elektorale, qëllimi i të qenit në funksion të publikut, ka rënë”, ka shpjeguar Felaj, duke shpjeguar se koncepti i të bërit bashki shumë të vogla dhe mosorientimi i përmirësimit të shërbimeve për popullsinë, nuk i kryen punë qytetarëve.

Pra, ndryshime sipas saj, nuk do të ketë në këtë pikë.

Ecuria e Komisionit

Ky komisioni është miratuar në shkurt të këtij viti dhe deri më tani gjëja e vetme që ka realizuar është caktimi i ekspertëve.

Nga PS-ja janë caktuar Adelina Farrici dhe Artan Shkëmbi, ndërsa nga PD-ja Agron Haxhimali dhe Roland Bejko.

Emrat u njoftuan nga dy bashkëkryetarët, ish-ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, dhe deputetja demokrate, Dhurata Çupi.

Ndryshe nga tetë vite më parë, PD-ja dhe PS-ja kanë rënë dakord që të nisin punën për reformën territoriale.

Por, jo kaq thjesht. Të dyja palët kanë qëndrime të ndryshme sa i përket produktit final të kësaj reforme.

PD-ja, nga njëra anë, kërkon që analiza për ndarjen territoriale të nisë që në themelet e vitit 2014, me qëllim që të bëhet rishikimi i ndarjeve të Bashkive.

Nga ana tjetër, PS-ja synon shkrirjen e qarqeve dhe organizimin e territorit në rajone.

Këtë herë, PD ka vendosur që të marrë pjesë në realizimin e kësaj reforme.

Demokratët gjithë këtë kohë e kanë lidhur reformën me efektin zgjedhor, që ka të bëjë dhe me ndarjen e mandateve.

Nga ana tjetër, socialistët, në kohën kur u propozua ndarja e tillë administrativo-territoriale, theksuan se qëllimi është për efekt social-ekonomik që të ndalohet shpopullimin e rajoneve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore