Sport

Komisioni i Ministrisë kërkon nga Ademi që të tërhiqet nga pozita e Presidentit të FFK-së


Komisioni për licencimin e federatave sportive pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka dërguar një shkresë në Komitetin Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, ku ka kërkuar nga kryetari i FFK-së, Agim Ademi që të tërhiqet nga posti i presidentit të FFK-së.

Në letrën siguruar nga Albanian Post, thuhet se komisioni e ka vërtetuar që Ademi është në proces gjyqësor, dhe se për shkak të kësaj, FFK nuk mund të licencohet, pasi do të binte në kundërshtim me ligjet e Kosovës, statusin e FFK-së dhe kodin etik të FIFA-s.

Kodi Disiplinor i FIFA-s, që është në fuqi nga 3 qershori i vitit 2019 thotë:

“Pika 1- Shoqatat/ Federatat janë të detyruara t’i përshtatin dispozitat e tyre disiplinore me parimet e përgjithshme të këtij Kodi për të harmonizuar masat disiplinore. Neni 62, paragrafi 3 i këtij Kodi konsiderohet i detyrueshëm në garat e brendshme”.

“Pika 2- Me kërkesë të FIFA-s, shoqatat/ federatat duhet t’i japin FIFA-s një kopje të rregulloreve të tyre të përditësuara”.

“Pika 3 – Të gjitha shoqatat/ federatat gjithashtu duhet të sigurojnë që askush të mos përfshihet në menaxhimin e klubeve ose të vetë shoqatës/ federatës, që është nën ndjekje penale për veprime të padenja për një pozicion të tillë ose që është dënuar për një vepër penale në pesë vitet e fundit”.

Në dokumentin e siguruar nga Albanian Post thotë po ashtu se meqenëse Ademi, sipas dëshmive nga gjykata kompetente në Prishtinë, rezulton se presidenti i FFK-së është nën ndjekje për vepër penale, dhe duke u bazuar në këtë fakt, Kodi Disiplinor i FIFA-s e ndalon atë në ushtrimin e veprimtarisë menaxhuese në klubet dhe në federatat e futbollit.

“Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive konstaton se z. Agim Ademi që prej muajit Qershor 2019 (prej kur është në fuqi Kodi Disiplinor i FIFA-s) është duke ushtruar detyrën e Kryetarit të FFK-së në kundërshtim dhe në shkelje të akteve normative ndërkombëtare të FIFA-s anëtare zyrtare e të cilës është edhe FFK-ja që prej datës 13 Maj 2016”.

Komisioni ka kërkuar nga Komiteti Ekzekutiv që të merr vendim ta pezullojë Ademin nga pozita e kryetarit deri në përfundim të procesit gjyqësor ndaj tij, nëse një gjë të tillë nuk e bën vet Ademi në kohë sa më të shpejtë.

“Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive kërkon nga z. Agim Ademi që me efekt të menjëhershëm dhe përmes shkresës zyrtare ta pezullojë veprimtarinë e tij në cilësinë e Kryetarit të FFK-së deri në përfundimin e procedurës gjyqësore. Në rast se një gjë e tillë refuzohet nga z. Ademi, KVLFS kërkon nga Komiteti Ekzekutiv i FFKS-së që me vendim zyrtar ta pezullojë z. Agim Ademin nga detyra e Kryetarit të FFK-së deri në përfundim të procedurës gjyqësore për vepër penale, dhe për këtë ta njoftojë me shkrim KVLFS-në në afatin më të shkurtër kohor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore