Kosova

Komisioni Hetimor për rezervat shtetërore – PDK e AAK, LVV-së: S’po bëhemi hetues, po kryejmë punën tonë


Abelard Tahiri dhe Besnik Tahiri

Shefat e Grupeve Parlamentare të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përkatësisht Abelard Tahiri dhe Besnik Tahiri, në fjalët e tyre në Kuvendin e Kosovës, i kanë reaguar kryeshefes së deputetëve të Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pasi që ajo kundërshtoi themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore.

Kusari akuzoi deputetët e opozitës se po duan të bëhen hetues dhe se nuk po i besojnë Prokurorisë, mirëpo Tahiri i PDK-së dhe ai i AAK-së e kundërshtuan një gjë të tillë, duke thënë se ata vetëm po ushtrojnë detyrën e tyre si deputetë të përcaktuar nga Kushtetuta.

“Ne nuk po kërkojmë që të bëhemi hetues, kjo është një e pavërtetë që po e thotë Kusari. Ne po kërkojmë që të kryejmë mandatin tonë si deputetë konform Kushtetutës së Kosovës”, tha Tahiri.

“Kam hyrë e kam bërë një hulumtim dhe e shihni mbledhjen e qeverisë. E keni vetëm një vendim. Siç duket ka qenë vetëm mbledhje online. Ka shumë çështje politike që kanë dërgu deri te marrja e këtij vendimi. Nga të dhënat në Komisionin hetimor për energjinë patëm edhe arrestime. Ato proces verbale të komisionit hetimor ju kanë shërbyer prokurorisë”, shtoi.

Ndërsa, Tahiri i AAK-së, ka deklaruar se kanë iniciuar kërkesë për themelimin e këtij komisioni me qëllimin e vetëm që të shohin në detaje procedurat e furnizimit me rezerva shtetërore.

“Mimoza Kusari duhet ta dijë që pushtetet janë të ndara dhe kur një Shefe e Grupit Parlamentar thotë se Prokuroria ka bërë spektakël, në fakt këtu është ndërhyrja. Këtu menjëherë ndërhyn politika”, pohoi Tahiri.

Ai kërkoi që të hetohet edhe cila ka qenë lidhja në mes të biznesmenit të dyshuar në keqpërdorimin e rezervave shtetërore, Ridvan Muharremi, me Ministren e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

“Personi në fjalë, zotëri Ridvan Muharremi çka do të thotë për ministren. Ne duhet me pa cili është roli i tij në rezerva shtetërore. A është faji te Rozeta (Hajdari) a te Ridvani”, ka theksuar ai.

Opozita po kërkon që të krijohet komisioni parlamentar i cili do të zgjasë 6 muaj, dhe për këtë Kusari-Lila e pyeti opozitën, pas kërkesave të tyre për zgjedhje të jashtëzakonshme, se a janë për zgjedhje apo jo.

Por, sa i përket kërkesës së opozitës për zgjedhje, Tahiri nga PDK, pohoi se i qëndrojnë pas dhe angazhohen çdo ditë për këtë, teksa shtoi se nuk mund të heqin dorë nga mandati si deputetë.

“Ne kemi pozicion politik, dhe ne kërkojmë që vendi të shkojë në zgjedhje, dhe do të angazhohemi çdo ditë që vendi të shkojë në zgjedhje, mirëpo nuk heqim dorë nga mandati jonë si deputetë për t’i nxjerrë dhe për të mosamnistuar keqpërdorimet që bëhen.

Kuvendi i Kosovës, këtë të enjte po diskuton themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore.

Për nevojë e themelimit të një komisioni hetimor për çështjen e rezervave shtetërore ka folur fillimisht Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Sipas tij një hetim i tillë për keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla, është i domosdoshëm.

“Ne deputet nënshkrues e konsiderojmë se është e domosdoshme që te kemi hetim parlament për të parë nga afër se sa janë respektuar ligjet dhe procedurat për çështje të rezervave shtetërore si dhe te propozojmë hetimin e çështjeve duke mos u kufizuar vetëm në çështjen ne vijim”, shtoi ai.

Themelimin e një komisioni të tillë e kundërshtoi Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila.

“Shpenzohet paraja publike, deputetët kthehen në hetues” – LVV-ja kundër themelimit të Komisionit Hetimor për rezervat shtetërore

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore