Lajme

Komisioni Evropian rekomandon nisjen e negociatave me Bosnjë-Hercegovinën


Ilustrim

Komisioni Evropian të martën ka rekomanduar nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën, duke konstatuar se ky vend ka bërë përparim në përmbushjen e kritereve që janë kërkuar.

Vendimi në fjalë është miratuar në takimin e Kolegjit të Komisionarëve.

“I kemi rekomanduar Këshillit nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën dhe që të miratojë kornizën negociuese kur Bosnje-Hercegovina të ndërmarrë hapa në përputhje me raportin e Komisionit Evropian“, ka thënë azëvendëskryetari i Komisionit Evropian, Marosh Shefçoviç.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kishte deklaruar se Bosnja e Hercegovina ka bërë hapa mbresëlënës në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

Ndër arritjet, sipas von der Leyen, ka qenë edhe ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, përfshirja e dënimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të krimeve të luftës në Hagë në regjistrin shtetëror të krimeve dhe disa rezultate tjera.

“Kjo është arsye pse ne sot vendosim që t’i rekomandojmë Këshillit që të hapë negociatat për anëtarësim me Bosnjë e Hercegovinën. Mesazhi nga Bosnja e Hercegovina është i qartë. Prandaj edhe mesazhi ynë duhet të jetë i qartë, po ashtu. E ardhmja e Bosnjë e Hercegovinës është në Bashkimin Evropian“, kishte thënë ajo.

Pas rekomandimit të Komisionit Evropian, vendimin për nisjen e negociatave duhet ta marrin liderët e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Kjo do të jetë në rend të ditës në samitin që do të zhvillohet më 21 dhe 22 mars në Bruksel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore