Shqipëria

Komisioni Evropian përshëndet vendimin e Shqipërisë për regjimin e vizave ndaj shtetasve rusë


Komisioni Evropian ka mirëpritur vendimin e marrë nga Shqipëria për të mos rinovuar përjashtimin sezonal të vizave për shtetasit rusë.

Kështu shkruhet në raportin e fundit të publikuar nga KE-ja “mbi monitorimin e regjimeve pa viza të BE-së”.

Sipas institucionit evropian, këto vendime janë të rëndësishme dhe “mirëpresin hapa drejt objektivit të reduktimit të ardhjeve të parregullta në BE” përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor, megjithëse sfida të rëndësishme mbeten.

“Komisioni pret që të gjitha vendet fqinje të BE-së pa viza të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të përafruar më tej politikat e tyre të vizave me politikën e vizave të BE-së, veçanërisht kur ka të bëjë me vendet e treta me modele të presionit të lartë migrator ose rreziqeve të sigurisë për BE-në”, ishte thirrja e Komisionit Evropian.

Raporti vëren gjithashtu se në vitin 2022, kërkesa për azil me norma njohjeje që variojnë nga 4 për qind në 6 për qind u depozituan në BE nga shtetas të vendeve të ndryshme pa viza si Kolumbia (43 mijë e 20), Gjeorgjia (28 mijë e 385 aplikantë), Shqipëria (13 mijë e 100 aplikantë), ose Peruja (12 mijë e 845 aplikantë).

Ndërtimi i ngjarjes

Shqipëria përmes regjimit të vizave ndaj shtetasve rusë mund të ketë humbur ekonomikisht por ka fituar diplomatikisht.

Kjo, në unison me qëndrimin si anëtare e Këshillit të Sigurimit në OKB.

Kujtojmë që nuk kanë qenë të pakta rastet, kur përfaqësuesit e delegacionit shqiptar, me në krye ambasadorin Ferit Hoxha, janë përplasur me palën ruse me gjuhë të ashpër diplomatike, duke dënuar krimet e kryera nga Moska në Ukrainë.

Kësaj radhe autoritetet shqiptare ravijëzuan sërish hapin e ngjashëm me Bashkimin Evropian në sanksionimin e shtetasve rusë.

Ambasada e Shqipërisë në Federatën Ruse njoftoi më herët anulimin e regjimit pa viza për shtetasit e Rusisë.

“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Federatën Ruse informon se sipas ndryshimeve të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, datë 20 prill 2023, në Rezolutën nr.858, datë 29.12.2021, regjimi pa viza për qytetarët e Federatës Ruse anulohet (çdo vit nga 1 maji deri më 30 shtator)”, thuhej në mesazhin e ambasadës.

Misioni diplomatik ka paralajmëruar se për të vizituar Shqipërinë, rusët tani duhet të aplikojnë për vizë bazuar në qëllimin e udhëtimit.

Më parë, rusët mund të hynin pa vizë në Shqipëri nga 1 maji deri më 30 shtator duke stimuluar turizmin në këtë mënyrë.

“Klinika Uzllova kishte peshën kryesore të afrimit të shtetasve rusë në vendin tonë, kryesisht për turizëm mjekësor. Për turizëm të mirëfilltë nuk njoh të jetë marrë ndonjë agjenci sepse ne nuk përbëjmë interes për ta. Turistët rusë janë shumë të interesuar për tipologjinë e resorteve verore si në Antalya”, zbuloi një agjent turistik dhe udhëtimesh për Albanian Post.

Të pyetur për rikthimin e regjimit të plotë me viza për shtetasit e tyre, ambasada ruse në Tiranë nuk pranoi të komentonte menjëherë kërkesës së Albanian Post.

Shifra

Vizitorët rus dhe ukrainas zënë një vend të rëndësishëm në turizmin shqiptar.

Në vitin 2021, sipas shifrave zyrtare të INSTAT-it nga dy shtetet lindore erdhën rreth 146 mijë e 680 shtetas nga 5.6 milionë shtetas të huaj që hynë në Shqipëri.

Mbi 36 mijë e 400 ishin shtetas rusë, ndërsa pjesa dërrmuese e tyre mbi 110 mijë shtetas ishin ukrainas.

Ndërsa në gjashtë vitet e fundit në Shqipëri kanë hyrë mbi 132 mijë turistë rusë.

Përballë krizës së lidhjes të shkaktuar nga lufta, Turqia është bërë shpejt rruga lidhëse më e përdorur për në Rusi, falë numrit të konsiderueshëm të fluturimeve.

Zelensky i bëri thirrje vitin e kaluar Republikës së Shqipërisë që të ndalonte anijet ruse nga portet shqiptare dhe të vendoste kufizime për turistët rusë.

Deklarata përkatëse erdhi gjatë fjalimit të tij historik në Kuvendin e Shqipërisë.

“Unë ju kërkoj të ndaloni anijet ruse nga portet dhe të kufizoni fluksin e turistëve rusë, pasi nuk mund ta dini kurrë se kush vjen tek ju: ndoshta, ata janë vrasësit që ishin në Bucha, ose kasapët nga Mariupol-i, ose ata që tashmë janë duke punuar për të minuar shtetin tuaj”, theksoi presidenti ukrainas.

Shtetet e tjera

Pas shumë debateve dhe thirrjeve për të ndaluar hyrjen e turistëve rusë në territorin e Bashkimit Evropian dhe vendeve të zonës Shengen, shtetet baltike – Estonia, Letonia dhe Lituania – së bashku me Poloninë, u bënë shtetet e para të BE-së që vendosën një ndalim të tillë më 19 shtator të vitit të kaluar.

“Duke marrë parasysh pushtimin ushtarak të Ukrainës nga Rusia dhe kërcënimet që rezultojnë për sigurinë kombëtare të vendeve, Lituania së bashku me Letoninë, Estoninë dhe Poloninë vendosën të forcojnë kontrollin e hyrjes së qytetarëve rusë”, tha Ministria e Punëve të Brendshme të Lituanisë.

Menjëherë pas shteteve baltike dhe Polonisë, duke ndjerë presionin e një fluksi turistësh rusë, edhe Finlanda lëvizi për të mbyllur kufijtë tokësorë me Rusinë.

Më 29 shtator të vitit të kaluar, Ministria finlandeze e Punëve të Jashtme të Finlandës njoftoi kufizimet e hyrjes për shtetasit rusë në kufirin lindor të vendit.

“Me vendimin parimor të qeverisë më 29 shtator 2022, Finlanda do të kufizojë ashpër udhëtimin e rusëve në Finlandë për qëllime turistike. Kufizimet e hyrjes hyjnë në fuqi më 30 shtator 2022, ora 00:00 dhe janë të vlefshme deri në një njoftim të dytë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Autoritetet zbuluan gjithashtu se tranziti përmes vendit për shtetasit rusë gjithashtu do të ndalohej plotësisht, ndërsa pranimi i aplikimeve për viza do të kufizohej ashpër.

Ndërsa nga 25 tetori, edhe Republika Çeke ndaloi plotësisht shtetasit rusë që posedonin viza të vlefshme Shengen të lëshuara nga Republika Çeke apo vende të tjera Shengen.

Ndërsa ndalimet e hyrjes nuk janë vendosur për turistët rusë, disa vende të BE-së dhe Shengenit kanë pezulluar tashmë lëshimin e të gjitha llojeve të vizave Shengen, në vend të kësaj duke lëshuar vetëm viza për qëllime humanitare ose viza afatgjata për studentët, punonjësit dhe bashkimet familjare.

Belgjika ka pezulluar dhënien e vizave turistike për shtetasit rusë që në fillim të korrikut të vitit të kaluar.

Përpara Belgjikës, në maj, Danimarka gjithashtu kishte ndaluar pranimin e aplikimeve për viza afatshkurtër dhe afatgjatë në Rusi.

Në të njëjtën kohë, Holanda ka pezulluar dhënien e vizave afatshkurtra për qytetarët e shtetasve rusë më 27 prill pasi stafi i ambasadës së saj u shpall i padëshiruar në Rusi.

Në mënyrë të ngjashme, Sllovakia gjithashtu nuk pranon aplikime për viza turistike në Rusi.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, Maqedonia e Veriut anuloi hyrjen pa viza për rusët, Mali i Zi e reduktoi qëndrimin veror pa vizë në 30 ditë dhe Kazakistani – në 90 ditë për gjashtë muaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore