Zgjedhjet në Kosovë

Komisioneres së Vetëvendosjes i ndalohet pjesëmarrja në procesin zgjedhor për pesë vitet e ardhshme


Ilustrim

Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marr vendim ndalues ndaj komisioneres së Lëvizjes Vetëvendosje që të marrë pjesë në procesin zgjedhor për pesë (5) vitet e ardhshme.

PZAP mori një vendim të tillë sepse komisionerja e LVV-së në Gjilan, Xhezide Selimi ditën e votimit të zgjedhjeve lokale, pra me 17 tetor gjatë heshtjes zgjedhore, ka postuar dhe shpërndarë një ftesë votuesve për të votuar për subjektin politik “Lëvizja Vetëvendosja 144”.

Postimi i komisioneres duket se është edituar pastaj duke lënë foton me tekstin “Dilni e votoni…”.

Xhezide Selimi

Si pasojë, komisioneres Xhezide Selimi i është ndaluar pjesëmarrja në zgjedhje, si kandidate apo edhe si pjesë administrative e ndonjë organi zgjedhor për periudhën kohore, në kohëzgjatje prej pesë (5) vitesh nga dita e marrjes së vendimit, thuhet në vendim të PZAP-së.

Arsyetimi i vendimit të PZAP-së është i bazuar dhe se aty thuhet që Xhezide Selimi nga LVV e ka bërë “postimin dhe shpërndarjen e materialeve zgjedhore në rrjetin social Facebook, ku ka postuar një fotografi duke votuar dhe duke i ftuar qytetarët që të dalin dhe të votojnë numrin 144.”

PZAP ka argumentuar se vendimi është marrë në bazë të fakteve relevante dhe e ka shpallur Lëvizjen Vetëvendosje përgjegjëse për veprimet e komisioneres të saj, andaj ka dënuar LVV-në me 1 mijë euro gjobë.

Ankesa është pranuar dhe LVV përveç gjobës prej 1 mijë euro, është detyrohet që atë ta paguaj brenda 15 dite nga dita e marrjes së vendimit ose në rastin e kundërt, do të shqiptohet dënim shtesë, thuhet në vendim.

Ankesa ishte parashtruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nga BIRN dhe Internews Kosova ndaj Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore