Përballje

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave pëson humbje të thellë nga Belgjika


Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave, ka pësuar humbje nga ajo e Belgjikës me rezultat 7:0, ndeshje kjo e zhvilluar për kualifikimet e Kupës së Botës.

Kosovaret nuk e nisën aspak mirë ndeshjen, të cilat që në pjesën e parë u gjenden në disavantazh prej pesë golave.

Belget arritën të realizonin edhe dy gola tjerë në pjesën e dytë, për rezultatin përfundimtar 7:0.

Kapitenia e Belgjikës, Tessa Wullaert shënoi tre-golësh, ndërsa dy gola i realizoi Justine Vanhaevermaet, kurse nga një gol e shënuan Janice Cayman e Tine De Caigny.

Me këtë humbje, Kosova pozicionohet në vendin e parafundit në tabelën e Grupit F, me vetëm një pikë, ndërsa Belgjika zë vendin e parë me shtatë pikë.

Kujtojmë që Belgjika kishte triumfuar me rezultat të njëjtë edhe ndaj Shqipërisë më 21 shtator në Bruksel.

Ndërkohë Kosova pas barazimit 1:1 në udhëtim me Shqipërinë, humbi 3:0 nga Norvegjia, para se të pësonte këtë humbje të thellë.

Lojtaret e Kosovës kanë gjasa për të përmirësuar paraqitjen e tyre më 26 tetor kur luajnë në udhëtim ndaj Armenisë, të cilët i ka mposhtur Shqipëria me rezultat 5:0.

Selektorja Afërdita Fazlija ka bërë të ditur se ndaj Belgjikës, Kosova është paraqitur pa dy titullarë, por shpresat e saj ishin për paraqitje të denjë dhe rezultat të pranueshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore