Komandanti i KFOR-it: Kemi katërshifruar prezencën e KFOR-it në Veri

SHFLETO

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneral major Ozkan Ulutas.

 

Dini Fetahu
24.11.2023 15:52
Loading Icons...

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneral major Ozkan Ulutas, ka thënë se është katërshifruar prezenca e trupave të KFOR-it në Veri të Kosovës, si dhe është trefishuar numri i patrullave, derisa ka shtuar se situata e sigurisë në këtë zonë të Kosovës është përmirësuar pas tensioneve të fundit, posaçërisht pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit.

Komandanti i KFOR-it ka theksuar se NATO iu përgjigj shpejt situatës së tensionuar në Veri të Kosovës duke vendosur 1000 ushtarë dhe automjete të blinduara shtesë.

“Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që misioni ynë të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij të OKB-së për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, dhe bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, në çdo vit, kohë dhe në mënyrë të paanshme”, ka thënë ai në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”.

Ulutas ka theksuar se NATO është i përkushtuar fuqishëm për sigurinë në Kosovë, duke shtuar se KFOR-i do qëndrojë në Kosovë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, në përputhje me mandatin e OKB-së.

“KFOR gjithashtu vazhdon të krijojë kornizën e sigurisë të nevojshme që dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës të përparojë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, e cila është e vetmja rrugë drejt paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm”, shtoi.

Gjernerali turk i KFOR-it, është pyetur edhe për ndihmën ushtarake që Turqia ia jep Kosovës, porse ka refuzuar që të përgjigjet në këtë çështje, duke theksuar se misioni në krye të të cilit ai qëndron aktualisht, është i fokusuar në zbatimin e përditshëm dhe të paanshëm të misionit.

“Nuk më takon mua të komentoj nismat dypalëshe. Si komandant i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, unë punoj përmes zinxhirit komandues ushtarak të NATO-s. Ne jemi plotësisht të fokusuar në zbatimin e përditshëm dhe të paanshëm të misionit tonë, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 1999”, deklaroi.

Ardhja e tij në Kosovë i ka lënë përshtypje të madhe, pasi që ka kuptuar se dëshira e të gjitha komuniteteve në Kosovë është që të jetojnë në paqe dhe siguri të përhershme, prandaj, theksoi, “kjo është shtytësi kryesor i aktiviteteve tona të përditshme”.

“Si KFOR, ne vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ofruar një mjedis të sigurt në mënyrë të paanshme, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”.