Koleksioni i orëve të Schumacher nxirret në ankand për 5 milionë paund
Romario Ismailaj
20.04.2024 18:15Sipas raportimeve, koleksioni personal i orëve luksoze të Michael Schumacher do të dalë në shitje në ankand nga familja e pilotit të famshëm të Formula 1 (F1).
Detajet e gjendjes së Schumacher kanë mbetur tepër të pakta që kur gjermani pësoi një dëmtim të rëndë të trurit në një aksident të frikshëm me ski pak më shumë se një dekadë më parë, me familjen e tij rrallëherë që fliste për gjendjen e tij.
Gruaja e tij, Corinna, është kujdesur për të me ndihmën e profesionistëve mjekësorë që atëherë dhe tani po vendos të shesë disa nga orët e tij që pritet të kushtojnë miliona paund, siç raportohet nga “The Sun”.
Ankandi i koleksionit të tij ekstravagant vlerësohet në 5 milionë paundë dhe shënon një tjetër shitje të aseteve të tij.
Tetë orë të rralla fillimisht do të ekspozohen në Nju Jork në fundjavën e Çmimit të Madh të Miamit, 3 maj deri më 5 maj, përpara se të hidhen në ankand në Gjenevë, Zvicër më 13 maj.
Shtatë herë kampioni i botës në F1 mblodhi një koleksion të jashtëzakonshëm gjatë karrierës së tij, duke përfshirë dy ora me porosi të dhuruara nga ish-shefi ekzekutiv i Ferrarit, Jean Todt.
Në mesin e tetë orave të nxjerra në shitje janë krijimet e F.P. Journe, Rolex dhe Audemars Piguet.
F.P i veçantë i Schumacher-it, “Journe Vagabondage 1” pritet të gjenerojë shitjen më të lartë me një vlerësim midis 1.4 dhe 2.7 milionë paundë të vendosura mbi të nga shtëpia e njohur e ankandeve “Christie’s”.
Ora ishte një dhuratë nga Todt pasi Schumacher fitoi kampionin e tij të shtatë të botës ndërsa garonte për Ferrarin në 2004.
Ajo përmban një dizajn unik me markën Ferrari, modelin e kaskës së Schumacher dhe shënjat që përfaqësojnë shtatë titujt e tij botërorë të mbështjellë në copën e punuar me dorë.
Ajo përmban gjithashtu një mesazh personal të gdhendur nga Todt që thotë: “Krishtlindja 2004 – Jean Todt për mikun tim Michael Schumacher”.
Një tjetër orë e personalizuar Audemars Piguet Royal Oak po vendoset gjithashtu në ankand dhe mund të shitet deri në 340,000 paundë.
Do të përfshihet gjithashtu një orë ikonë Rolex “Paul Newman Daytona” dhe u përshkrua nga kreu i orëve të “Christie’s”, Remi Guillemin si “një nga orët më ikonike që Rolex ka prodhuar ndonjëherë”.
Pesë orat F.P. Journe me botim të kufizuar nga viti 2004 do të kompletojnë koleksionin me tetë pjesë.