Shqipëria

Kolegji Zgjedhor “rrëzon” Berishën, PD-ja në zgjedhje me Alibeajn


Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha, për çregjistrimin nga zgjedhjet lokale të Partisë Demokratike me kryetar të komanduar Enkelejd Alibeajn.

“Në bazë të nenit 158/3 të Kodit Zgjedhor, me shumicë votash vendosi rrëzimin e kërkesë padisë, shpenzimet gjyqësore siç janë bërë. Ky vendim është i formës së prerë dhe ndaj tij nuk lejohet ankim. Vendimi  u shpall sot më 27.03.203”, njoftoi institucioni.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve rrëzoi më 23 mars një kërkesë nga Sali Berisha, kundër vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Kjo, për të regjistruar në zgjedhje Partinë Demokratike, me kryetar të komanduar, Enkelejd Alibeajn.

Lidhur me këtë të fundit, vendimin e kishte marrë po vetë KAS më parë, duke e detyruar komisionerin ta regjistronte PD-në e Alibeajt në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, me plotësimin e dokumentacionit që vetë PD-ja ligjore duhet të kryente.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi e regjistroi më herët Partinë Demokratike për zgjedhjet e 14 majit 2023, pikërisht me Enkelejd Alibeajn si kryetar i komanduar i forcës politike.

Kjo, pasi përfaqësuesi ligjor i PD-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Indrit Sefa, dorëzoi dokumentacionin e plotësuar të kërkuar edhe nga KAS, i cili parashikonte edhe nënshkrimin e një deklarate solemne, nga Alibeaj si kryetar i komanduar.

Kjo shtesë dokumentacioni, ka qenë ajo e cila i hapi dritën e gjelbër regjistrimit të Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Vetë KAS-i, e rrëzoi vendimin e Celibashit për të mos e regjistruar forcën e djathtë politike në zgjedhje, duke marrë në shqyrtim kërkesën për ankim të Sefës dhe duke i dhënë të drejtë këtij të fundit mbi pretendimet.

Nga ana tjetër, Sali Berisha e ka të pamundur të garojë me logon dhe simbolet e Partisë Demokratike, pavarësisht se ai ka mbështetjen kryesore në anëtarësi.

Pavarësisht kësaj, vetë Berisha e ka gjetur një zgjidhje alternative rreth çështjes, pasi kandidatët e tij do të regjistrohen nën siglën e koalicionit të formuar me Partinë e Lirisë, atë Demokristiane si edhe Partinë e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, i emërtuar “Bashkë Fitojmë”.

Në këtë koalicion, vetë PD-ja nuk figuron pjesëmarrëse, pasi Berisha nuk e ka tagrin ligjor për të përfaqësuar forcën e djathtë politike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore