“Kolapsi i negociatave”, çuditet gazetari serb: Jemi mësuar që Serbia t’i refuzojë propozimet – jo Kosova

Gazetari dhe publicisti serb, Nenad Kulaçin, në një editorial të publikuar në rrjetin ndërkombëtar “Al Jazeera”, ka shkruar mbi dështimin e raundit të ri të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë të mbajtur të enjten e 14 shtatorit në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) i cili nuk ka arritur t’i përmbushë pritshmëritë e vëzhguesve dhe diplomatëve evropianë.
Përkundër se pritshmëritë ishin që të paktën takimi do krijonte një moment për t’i dhënë kahje të re zbatimit të Marrëveshjes Bazë mes Kosovës dhe Serbisë, ai nuk ka prodhuar rezultate të prekshme, prandaj sipas gazetarit e publicistit serb, nuk ka dyshim se të dyja palët janë përgjegjëse për bllokimin e zbatimit të marrëveshjes, duke shënuar kështu “kolapsin e negociatave”.
“Negociatat mes Kosovës dhe Serbisë mesa duket kanë pësuar një debakël. Për tetë muaj nuk është bërë asgjë në lidhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve bazuar në propozimin franko-gjerman. Negociatat e fundit në Bruksel treguan se jemi shumë larg normalizimit”, ka shkruar të dielen Kulaçin.
Përderisa asnjë rezultat në funksion të zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel 27 shkurt – Ohër 18 mars) nuk ka prodhuar takimi i së enjtes mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka fajësuar kryeqeveritarin kosovar për mosgatishmërin e tij për të bërë kompromis.
“Kjo nuk është hera e parë që Kosova refuzon zgjidhjet e ofruara. Disi të gjithë jemi mësuar që Serbia ta bëjë këtë, por situata duket se ka ndryshuar pak. Tashmë Kosova zyrtarisht cilësohet palë që nuk i pranon propozimet. Nëse kthehemi pas në kohë, Serbia është dënuar shumë herë për refuzimin e zgjidhjeve të ndryshme”, ka shkruar Kulaçin.
“Nëse kthehemi pas në kohë, Serbia është dënuar shumë herë për refuzimin e zgjidhjeve të ndryshme. Nga plani Z4 deri në Rambuje. E gjithë kjo çoi në sanksione të rënda dhe bombardime të NATO-s. Kosova ende nuk është përballur me pasojat e refuzimit, por BE-ja më në fund duhet të gjejë një zgjidhje për këtë mosmarrëveshje”, ka shtuar ai.
Kulaçin ka kritikuar qasjen e deritanishme të BE-së në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë lidhur me paqartësinë që e ka përcjellur dialogun përgjatë tetë muajve të fundit dhe mungesën e vendosmërisë për të lëvizur përpara në zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur nën ndërmjetësimin e vet, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Nuk ka dyshim se të dyja palët janë përgjegjëse për bllokimin e zbatimit të marrëveshjes, por duhet të jemi realistë dhe të pranojmë se këtë herë bilanci rëndon pak më shumë nga pala kosovare. Serbët janë larguar plotësisht nga institucionet e Kosovës dhe kjo është një lëvizje që ka vështirësuar mjaft procesin negociator, por edhe situatën në terren”, ka shkruar ai.
Negociatat diplomatike të ndërmjetësuara nga BE-ja me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk kanë prodhuar rezultate të prekshme në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve, derisa kryeministri Kurti e presidenti Vuçiç nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre, posaçërisht për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Paralajmërimi i Macron për rishikimin e vendimit për vizat nuk i drejtohet konkretisht Serbisë, thotë ministri francez
-
Seanca e OKB-së, Çitaku: Rama lartësoi Shqipërinë dhe shqiptarët
-
Dita më krenare në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë, thotë Rama
-
Bardhi kërkesë Nikollës: Të futet në rendin e ditës Komisioni i Reformës Zgjedhore