Koci për rastin në Gllogjan: Hetuesia e ka humbur momentumin

SHFLETO

Avokati, Arianit Koci.

 

Altina Marmullaku
04.12.2021 15:37
Loading Icons...

Avokati Arianit Koci, ka kërkuar që zbulimi i krimit të kryer në Gllogjan të Deçanit duhet të jetë prioritet shtetëror.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se një javë ka kaluar dhe sipas tij hetuesia e ka humbur momentumin.

“Kaloi java dhe ende nuk ka informata për vrasësin/it në Gllogjan. Hetuesia e ka humbë momentumin. Ditën e parë pas krimit, gjurmët janë të freskëta. Rasti është “i nxehtë” – siç quhet në zhargon kriminalistik”.

Ndërsa, ka thënë se ka kërkuar që të bllokohet Rrafshi i Dukagjinit për hetime më të shpejta të rastit.

“Kjo edhe ka qenë arsyeja pse kam insistuar që të bllokohet krejt Rrafshi i Dukagjinit menjëherë pas sulmit, të bëhet regjistrimi i çdo veture që qarkullon dhe të shtohet kontrolla kufitare”.

Po ashtu, ka rekomanduar disa nga konkludimet për të dhënat e deritashme.

Foto Albanian Post: Vendi ku u sulmua autobusi dhe mbeten te vdekur shoferi e dy nxenes.

“Në vrasje ka marrë pjesë më shumë se një person – qoftë edhe në formë të ndihmës pas kryerjes së veprës penale, ka pasur një plan të detajuar për sulm dhe për ikje nga vendi i ngjarjes, nuk përjashtohet asnjë motiv apo pistë e hetimit”.

“Me përvojën që kam – më duhen 3 persona nga inteligjenca e policisë, po aq nga FSK dhe AKI (ka individ shumë të aftë) – resurset informative të shëtit, si dhe përdorimi brutal i mjeteve të lejuara me ligj, lidhur me hetimin e rastit”, shkruan Koci.

Ndërsa, ka shtuar se brenda dhjetë ditëve, informatat bazike lidhur me kryerësit e këtij krimi, do të diheshin.

“Ky krim duhet patjetër të zbulohet. Sa më shpejtë. Kriminelëve duhet t’u dërgohet porosi, se askush nuk mund të kryej krime të tilla në Kosovë, pa u zbuluar dhe dënuar ashpër”.

Koci ka thënë se nuk do të ishte keq nëse shteti kërkon ndihmë nga personat privatë.

“Përndryshe, nuk ka asgjë të keqe nëse shteti kërkon ndihmë nga personat privatë, me përvojë në hetime, apo edhe nga struktura hetuese të shteteve tjera. Zbulimi i këtij krimi, duhet të jetë prioritet shtetëror”, shkruan ai.

Më 26 nëntor, tre persona kanë mbetur të vdekur, derisa një tjetër është plagosur nga sulmi me armë zjarri që i është bërë një autobusi me nxënës në Kosovë, në fshatin Gllogjan të Deçanit.

Të vrarë nga ky sulm kanë mbetur shoferi i autobusit dhe dy nxënës nga tetë sa ishin gjithsej në autobus në momentin e sulmit.

Sulmi ndaj autobusit kishte ndodhur rreth orës 19:00 nga një person i maskuar i cili kishte nxënë pritën autobusit, duke i dalur përballë dhe shtënë me breshëri në drejtim të tij.

Raporti i policisë tregoi se dyshimet e para janë se sulmuesi që lëshoi breshëri plumbash, aktin e kreu me një armë të tipit AK-47, apo siç njihet ndryshe si kallashnikov.

Të dhënat e para nga policia ishin se “i dyshuari gjendet në arrati”, kurse “rasti vazhdon në procedurë hetimore”.

Vrasja e trefishtë në Gllogjan të Deçanit.

Pas të gjitha këtyre të dhënave që u mblodhën nga policia e Kosovës të shtunën e 27 nëntorit, ky institucion erdhi në përfundim se autobusi me nxënës u sulmua nga vetëm një person me armë zjarri të tipit kallashnikov.