Kosova

KMSHK-ja konstaton se RTK-ja shkeli kapitujt kryesorë të kodit të etikës me publikimin e lajmit të rremë kundër mediave në Kosovë


Ilustrim

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) ka miratuar ankesën e portalit “Nacionale” kundër Radio Televizionit të Kosovës (RTK) rreth transmetimit të një artikulli të paverifikuar të portalit boshnjak “Slobodna Bosna” në transmetuesin publik të Kosovës, duke shkelur në mënyrë flagrante Kapitullin II, III dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara në Kosovë.

KMSHK-ja ka zbuluar se televizioni shtetëror ka shkelur tre kapituj të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, që kanë të bëjnë kryesisht me raportimin e së vërtetës, nxitjen e gjuhës së urrejtes dhe të drejtën për t’u përgjigjur.

“Pas leximit të ankesës dhe shkrimit të medias, përkatësisht portalit të RTK-së, ka gjetur se media ka shkelur kodin e etikës në lidhje me raportimin e së vërtetës, pasi që në asnjë pjesë të shkrimit nuk ka paraqitur provat në të cilat është mbështetur shkrimi i medias boshnjake”, ka thënë KMSHK-ja.

“KMSHK ka gjetur se media nëpërmjet publikimit të artikullit ka ndikuar negativisht dhe ka nxitur urrejtjen kundrejt dy mediave të tjera, duke shkelur Kapitullin III të kodit të etikës. KMSHK vendos që ankesa të miratohet”, thuhet në vendimin e fundit të KMSHK-së rreth kësaj çështjeje.

“KMSHK ka gjetur se media nuk i ka kontaktuar mediat e përmendura, përkatësisht përfaqësuesit e tyre, ashtu siç kërkon Kapitulli IV i kodit të etikës, për më tepër që rasti për të cilin ka raportuar është i ndjeshëm dhe me pasoja për median”, thuhet më tej në vendimin e miratuar këtë të hënë.

Në Kosovë ka pasur reagime rreth skandalit të publikimit të këtij artikulli, posaçërisht për shkak se RTK-ja ka transmetuar një pjesë të tekstit, ku përmendeshin “planet” e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, për të rritur ndikimin në Kosovë nëpërmjet kontrollit të dy mediave kosovare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore