Kosova

KMDLNJ kërkon nga Prokuroria e Shtetit të hetojë urgjentisht faturat “jonormale” të rrymës


KMDLNJ.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka reaguar pas çmimeve të energjisë elektrike duke kërkuar nga Prokurori i Shtetit që këtë çështje ta hetojë me urgjencë.

KMDLNJ, përmes një komunikate për media ka thënë se çmimet nga muajt paraprak dallojnë për 100%.

“Faturat për rrymë të muajit dhjetor për shumicën e qytetarëve dallojnë shumë nga ato të muajit të kaluar, janë 100 % e më shumë më të larta. Në ndërkohë askush nuk ka njoftuar për rritje eventuale të çmimit të energjisë elektrike sikur që edhe temperaturat nuk kanë qenë të larta për të shpenzuar energji shtesë. Po në të njëjtën kohë serbët dhe banorët tjerë të veriut të Kosovës vazhdojnë të mos i paguajnë faturat për rrymën e shpenzuar sikur që rrymën e shpenzojnë pa asnjë kufizim”, thuhet në reagim.

Sipas këshillit, ekzekutivi është duke zbatuar standarde të dyfishta, duke favorizuar serbët e Veriut.

“KMDLNj ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës t’i bëjnë publike faturat e këtij muaji duke i krahasuar me ato të muajit paraprak sikur edhe të paraqesin kundërshtim në KEDS për këto fatura”.

Sipas Këshillit, e keqja e gjithë kësaj është se ZRrE, si Rregullator i Energjisë Elektrike asgjë nuk ka ndërmarrë për mbrojtje të interesit të qytetarëve të Kosovës.

“Në vendet ku bëhet një politikë e përgjegjshme dhe ku deputetët vërtetë përfaqësojnë interesat e qytetarëve/votuesve të tyre, më së paku që do të ndodhte do të ishte dorëheqja apo shkarkimi i ministrisë përkatëse mbase edhe rënia e qeverisë”.

Qytetarë të shumtë janë ankuar për rritjen e çmimeve të energjisë elektrike në muajin dhjetor, duke i krahasuar me faturat e kaluara qytetarët kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me faturat që kanë pranuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore