Lajme

​KMDLNj kërkon hetim për shkeljen e të drejtave të të paraburgosurve në Speciale


KMDLNJ.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (KMDLNJ), ka reaguar lidhur me kufizimin e vizitave dhe telefonatave në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, duke thënë se duhet të ketë hetim për shkeljen e të drejtave të të paraburgosurve në Speciale.

KMDLNj, këtë vendim e ka vlerësuar si shkelje që është ndërmarrë nga gjykata duke thënë se “mungesa e transparencës dhe e llogaridhënies”, ka bërë që ZPS-ja të sillet si “elefanti në dyqanin e qelqurinave“ duke sajuar prova, bashkë me shtetin e Serbisë, duke joshur dhe duke blerë dëshmitarë.

“Lëvizja e fundit e ZPS –së për të bërë përpjekje t’i penalizojë pengjet duke ua pamundësuar vizitat dhe kontaktet përmes transkripteve patologjikisht të redaktuara tregon se sa janë të interesuar për të drejtat e njeriut, standard “udhëheqës“ për këtë Gjykatë”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Tutje nga këshilli, janë kujtuar edhe vizitat e ndërprera në të kaluarën.

“Edhe komunikimi tjetër ishte ndërprerë, pa dhënë ndonjë sqarim. Vizitat ishin ndërprerë krejtësisht në kohën e pandemisë mirëpo jo edhe komunikimet me familjarë dhe të tjerë përmes telefonit dhe formave tjera elektronike”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Duke përmendur edhe padrejtësitë që po bëhen nga kjo gjykatë duke mos gjykuar krimet masive që janë bërë në Kosovë nga Serbia.

“Kjo metodologji përdoret në të gjitha vendet e botës, hiç atyre diktatoriale dhe është thuaja praktikë uniforme e monitorimit. Ekaterina Trandafilova duhet të tregojë pse vetëm Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq nga Gjeneva dhe Ombudspersoni i Holandës kanë të drejtë t’i vizitojnë pengjet e Hagës dhe, deri më tani nuk kanë bërë asgjë në mbrojtje të drejtave të tyre”, thuhet tutje në reagim.

Më 4 dhjetor, janë kthyer vizitat dhe telefonatat për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi – në qendrën e paraburgimit në Hagë të Holandës, kanë bërë me dije Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK), megjithëse kanë parashtruar edhe disa masa kufizuesve për ndryshimin e kushteve të paraburgimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore