Sport

Klubet italiane kërkojnë transferimin e futbollistit të Barcelonës


Roma dhe Napoli janë vënë në garë për të siguruar shërbimet e futbollistit të Barcelonës, Sergino Dest.

Mbrojtësi amerikan nuk po ka shumë hapësira në formacionin e trajnerit Xavi Hernandez dhe me ardhjen e Dani Alves-it në skuadër, gjasat janë zvogëluar që ai të jetë në formacionin titullar te Barcelona.

Dhe, sipas asaj që raporton “Calciomercato”, dy gjigantët italianë, Roma dhe Napoli së fundmi kanë shprehur interesim për të.

Dy skuadrat italiane janë në kërkim të një mbrojtësi të djathtë dhe kanë shprehur interesim për Dest.

21 vjeçari ka kontratë valide deri në verën e vitit 2025 me Barcelonën, por ai thuhet se dëshiron largimin nga “Camp Nou”, në mënyrë që të ketë më shumë hapësira për të luajtur.

Kujtojmë që Barcelona shpenzoi 21 milionë euro për Dest, të cilin e bleu nga Ajax-i në verën e vitit 2020.

Thuhet që drejtuesit e klubit katalanas, kërkojnë rreth 20 milionë euro për ta lënë të lirë futbollistin në fjalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore