Gjykata Speciale

Klinaku, ZPS-së: Nëse më keni përgjuar edhe mua, publikoni bisedat


Faton Klinaku.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Faton Klinaku, ka reaguar pas publikimit të bisedave në Qendrën e Paraburgimit, duke thënë se do të ishte mirë që të publikoheshin edhe bisedat e tij me bashkëluftëtarët në Hagë.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Klinaku ka thënë se në rast Specialja posedon biseda të tillë atëherë do të duhej që të publikoheshin.

“Nëse ZPS më ka përgjuar edhe mua kur kam qenë në vizitë të 8 bashkëluftëtarëve në Hagë, mirë bëjnë që ta publikojnë, sepse veç për realitetin kemi folur”, ka shkruar Klinaku.

Të enjten e 23 nëntorit, përmes një kërkese Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar që ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimi, t’u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet e tjera, përveç me ekipin e avokatëve.

Kjo kërkesë nga ZPS-ja është bërë nën pretendimet se ata kanë shkelur urdhrat e trupit gjykues, duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur ose shpërndarjen e përmbajtjes së dëshmisë konfidenciale për personat që i vizitojnë në Qendrën e Paraburgimit.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi (tre të akuzuarit) kanë shkelur urdhrat e Trupit Gjykues duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe/ose duke shpërndarë përmbajtjen e dëshmive konfidenciale personave që i vizitojnë ata në Qendrën e Paraburgimit”, thuhet në njoftimin e Speciales.

“Hetimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (‘SPO’), kanë zbuluar gjithashtu përpjekje të mëtejshme për të penguar procedimet, duke përfshirë lëshimin e udhëzimeve se si duhet të dëshmojnë dëshmitarët dhe planifikimin e qasjeve ndaj dëshmitarëve”, thuhet në hyrje të parashtrimit.

Nga Prokuroria është thënë se vizitorët që kanë qenë në periudha të ndryshme në Hagë, ishin afruar tek dëshmitarët duke synuar që të komunikojnë me ta për të penguar dëshminë e tyre.

ZPS-ja publikon disa biseda në Qendrën e Paraburgimit mes Thaçit, Veselit e Selimit me vizitorë

ZPS-ja kërkon që Thaçit, Veselit dhe Selimit t’u pezullohen të gjitha vizitat dhe komunikimet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore