Kosova

Klinaku: Trendafilova s’ka çka diskuton me mediat e shoqërinë civile për punën e Speciales


Faton Klinaku

Ushtruesi i detyrës së Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, në një prononcim për media, para ndërtesës ku u mbajt protesta e Partisë Socialdemokrate kundër kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka thënë se OVL-UÇK-ja nuk është i ftuar në takim, që po mban ajo me organizatat e shoqërisë civile.

Ai më tej ka theksuar se për vizitën e Trendafilovas në Kosovë janë njoftuar ne medie, duke shtuar se ajo nuk ka për çka të diskutojë me mediat e shoqërinë civile për punë e Speciales.

Klinaku pohoi se Specialja po shkel të drejtat e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë, duke ua mohuar kontaktet e vizitat me familjarët.

Partia Socialdemokrate, këtë të mërkurë, ka protestuar ndaj vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova.

Përpara objektit ku Trendafilova do të mbaj takimin, një numër konsiderueshëm i protestuesve kanë mbajtur në duar pankarta me mbishkrime “jeni non-grata”, “UÇK-ja është përpjekja për liri” e “UÇK-ja nuk mund të gjykohet”.

Gjatë protestës është hedhur edhe gaz lotsjellës, tymë i së cilës ka hyrë brenda ambientit ku Trendafilova do të mbante konferencën.

Pas gazit lotsjellës Policia e Kosovës ka ndërhyrë duke arrestuar kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj.

Përveç Molliqajt, Policia ka arrestuar edhe aktivistët e kësaj partie, Nol Nushi, Zgjim Hyseni, Korab Korqa, Agron Kabashi dhe Gent Brahimi.

Në anën tjetër forca të shumta policore kanë “blinduar” ambientin ku po mbahet konferenca e Trendafilovas me shoqërinë civile.

Policia arreston Molliqajn, intervenon Njësia Speciale me sprej lotsjellës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore