Lajme

Klinaku: Prokurorit Smith i intereson të zgjasë procesin edhe 20 vite ndaj krerëve të UÇK-së


Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, konsideron se zgjerimi i aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ka të bëjë me zgjatjen e mandatit të Gjykatës Speciale.

“Prokurorit Smith i intereson të zgjasë procesi edhe 20 vite pasi ka pagë ta majme. Ai nuk punon për asgjë tjetër pos për miliona ashtu si gjithë prokurorët e gjykatësit, por edhe avokatët. Natyrisht se me zgjerimin e aktakuzave zgjatet edhe procesi gjyqësor”, deklaroi ai në RTV Dukagjini.

Sipas tij, Specialja nuk është treguar serioze kur është përmend në aktakuzë fraza se “këta persona kanë mundur të jenë në dijeni”.

“S’mund të flitet kështu për një ngjarje që ka kaluar. Ose kanë mundur të jenë në dijeni ose jo”, ka thënë Klinaku.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit Special ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Gjykata Speciale në Hagë.

Në njoftim thuhet se aktakuza e re kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, pritet të rëndohet me akuza të reja që i referohet krimeve që pretendohet të jenë kryera në fshatrat e Suharekës dhe në Gjilan.

“Midis 4 korrikut 1998 dhe shtatorit 1998 dhe më ose rreth 28 ose 29 prill në vitin 1999, disa pjesëtarë të UÇK-së ndaluan së paku dymbëdhjetë persona pa një proces të rregullt ligjor ligji në Budakovë. Të arrestuarit, të cilët u mbajtën për periudha të ndryshme kohore, u ndaluan fizikisht dhe u mbajtën në dhoma të mbyllura dhe nën mbikëqyrjen e rojeve të armatosur”.

“Menjëherë pas ndalimit në Budakovë, të paktën një nga të arrestuarit u transferua në  Semetishtë dhe po ashtu u mbajt aty deri rreth orës 19:00 deri më 20 gusht 1998. Në këto ndalime u përfshinë shumë anëtarë të UÇK-së, duke përfshirë pjesëtarët e Brigadës 123 në Zonën Operative të Pashtrikut”.

Gjykata Speciale, versionin e redaktuar të aktakuzës së re e ka publikuar në ueb-faqen e saj.

Më 26 tetor të vitit 2020 në Gjykatën Speciale në Hagë ishte konfirmuar aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Akuza ndaj tyre në kohë shtrihet midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët” kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore