Lajme

Klinaku-deputetëve: Nëse keni pak dinjitet, mos e votoni projektligjn e pagave pa ne


Faton Klinaku, Ud-Udhëheqës i Organizatës së Veteranëve të Luftës

Ka zgjedhur rrjetet sociale për të dhënë një mesazh para seancës së Kuvendit në të cilën do të votohet Projektligji i Pagave në Kosovë.

“Nëse ju ka mbetur pak dinjitet”, u lutet Faton Klinaku, ushtruesi i detyrës së udhëheqësit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, deputetëve të Kosovës për të mos e votuar këtë projektligj i cili është përjashtues për kategorinë e veteranëve.

“Mos e miratoni nesër projektligjin diskriminues ndaj kategorive të luftës së UÇK-së e për inate politike, sepse ne jemi duke mbrojtur interesat e veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve dhe jo interesat e partive politike”, ka shkruar Klinaku në Facebook.

Ai iu ka bërë thirrje edhe deputetëve të pakicave që të veprojnë në mbrojtje të interesave të pakicave e jo kundër interesave të kategorive të luftës.

“Të nderuar deputetë të pakicave! Mos u rreshtoni kundër interesave të kategorive të luftës së UÇK-së, sepse ju jeni në bashkëqeverisje aty për interesat e pakicave që i përfaqësoni”.

Por nëse kjo kërkesë e tyre nuk realizohet, Klinaku paralajmëron edhe masat tjera që do të ndërmarrin.

“Në të kundërtën, nëse nuk i dëgjoni thirrjet, do të na detyroni që të organizojmë protestë për të qëndruar para institucioneve natë e ditë”, ka shtuar tutje Klinaku.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen këtë të martë për të mbajtur seancën e radhës.

Ndër të tjera, në këtë seancë do të votohet edhe për ligjin i cili përcakton pagën minimale në Kosovë.

Gjatë mbajtjes së seancës së gjashtë qershorit, veteranët e UÇK-së protestuan në oborrin e Kuvendit.

Ata u konfrontuan me policinë dhe pati edhe të lënduar nga të dy palët.

Dikush nga dritaret e katit të dytë të ndërtesës së Kuvendit kishte hedhur edhe gaz lotsjellës. Policia eshët duke e hetuar këtë rast.

Më pas, për shkak të  mungesës së kuorumit mbajtja e seancës nuk u mbajt dhe votimi i këtij projektligji i cili diskriminon / përjashton veteranët e lutës së UÇK-së, nuk u votua.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore