Klerikët ortodoksë i kërkojnë Kurtit t’i dëgjojë ndërkombëtarët për targat

SHFLETO
Altina Marmullaku
28.10.2022 15:29
Loading Icons...

Dioçeza Ortodokse Rashkë- Prizren ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të pranojë kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimit Evropian (BE), për të shtyrë vendimin për targat.

Sipas Ipeshkvit të kësaj dioçeze, Teodosije jemi në një situatë ku duhet shmangur konfrontimet.

“Si ipeshkëv i Rashkës-Prizrenit (Kisha Ortodokse Serbe), shfrytëzoj rastin që së bashku me klerin tim t’u bëj thirrje institucioneve të Kosovës që të pranojnë propozimin unanim të misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorëve të vendeve të Quintit dhe këshillën e SHBA-së”, thuhet në komunikatë.

Kjo dioçezë ka kërkuar një vendim për targat të arrihet brenda 10 muajve të ardhshëm.

“I dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, z. Escobar të shmangë çdo lloj konfrontimi për targat dhe që kjo çështje të zgjidhet përmes dialogut ndërmjet palëve kompetente me mbështetjen ndërkombëtare brenda 10 muajve të ardhshëm, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme në Bruksel apo modele të tjera për të cilat është rënë dakord në dialog”.

Ilustrim.

Teksa, kanë apeluar edhe tek qytetarët në Veri të Mitrovicës që të ruajnë qetësinë në mënyrë dinjitoze.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë për Albanian Post, se BE e kupton fare mirë që vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat është në përputhje me marrëveshjet në Bruksel, por aktualisht mund të çojë në tensione, prandaj kanë kërkuar shtyrje fillimisht për 12 muaj e më pas për 10 muaj nga qeveria e Kosovës.

“Ne kemi rekomanduar te qeveria e Kosovës që të njoftojë për një periudhë 12 muajsh për ri-regjistrim të targave. Duke përdorur të njëjtën arsye, tani po kërkojmë nga qeveria e Kosovës një shtyrje të afatit për 10 muaj”, tha Stano për AP.

Serbët e Kosovës duke filluar nga 1 shtatori kanë pasur dy muaj kohë, për t’i konvertuar targat e tyre ilegale me akronime si KM, PZ, e të tjera, në ato RKS.

Qeveria s’e ka ndërmend ta shtyjë më afatin për targat – Kurti: Tashmë e kemi bërë shtyrjen