Lajme

Klan Kosova e fiton padinë ndaj ARBK-së pasi ky institucion ia kishte suspenduar certifikatën e biznesit


Televizioni Klan Kosova ka njoftuar se ka fituar rastin ndaj Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës në shkallën e parë të Gjykatës Komerciale, pasi ARBK-ja më 14 qershor 2023 ia kishte suspenduar televizionit certifikatën e biznesit, vendim ky të cilin e pati konfirmuar më pas edhe Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, më 28 korrik.

“Aprovohet në tërësi si e bazuar kërkesëpadia e paditësit “Klan Kosova” SH.P.K. Anulohen vendimi nr 4566/01 i datës 28.07.2023 i nxjerrë nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve dhe Vendimi Nr 309\11 i datës 14.06 2023 i nxjerrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë pranë të paditurit Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë”, thuhet në pikën 1 të aktgjykimin që ka publikuar Klani.

Siç ka njoftuar ky medium, tashmë kanë bërë dy padi në Gjykatën Komerciale, një për vendosjen e masës së përkohshme ndaj vendimit të ARBK-së dhe tjetrin për ta rrëzuar tërësisht atë vendim, derisa Komercialja pati vendosur pozitivisht për padinë e parë, më 3 gusht.

Ndryshe, më 14 qershor të vitit të kaluar, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes një komunikate për media kishte marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare televizionit Klan Kosova.

Çka ndodhi me Klan Kosovën?

Më 14 qershor të vitit të kaluar, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes një komunikate për media kishte marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare televizionit Klan Kosova.

“Raportimet e mediave gjatë këtyre ditëve rreth kësaj çështjeje, kanë nxjerrë në pah dyshime të bazuara për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare të punonjësve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Si rrjedhojë, MINT ka bërë të gjitha angazhimet e nevojshme dhe menjëherë ka ndërmarr masat e qartësimit të brendshëm të gjendjes”, thuhej në njoftim.

Sipas MINT, në bazë të dhënave të shpërfaqura nga i gjithë procesi i regjistrimit e më pas transaksioneve tjera të shitblerjes së Shoqërisë Tregtare ‘KLAN KOSOVA’ SHPK, rezultojnë dyshime serioze të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarë të ARBK-së, por edhe dyshime për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike nga persona përgjegjës të kompanisë.

Komisioni i Pavarur për Media (KPM), pas një takimi që kishte mbajtur më 16 qershor, i kishte dhënë afat prej 30 ditësh televizionit Klan Kosova, që të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm të biznesit në ARBK.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), kishte bërë thirrje që të lejohet kohë dhe të mos ketë presione për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar, në pritje të vendimit nga ana e Komisionit të Pavarur të Medieve.

Shtatë organizata kryesore ndërkombëtare për lirinë e mediave dhe grupet e gazetarëve kishin bërë thirrje që certifikata e përditësuar e biznesit të Klan Kosovës të pranohet nga komisioni i ankesave.

Po ashtu, kishin kërkuar që të ndërpriten menjëherë të gjitha përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për t’i bërë presion medias. Televizioni kombëtar privat, Klan Kosova, ka nisur transmetimin më 17 shkurt të vitit 2009.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore