Sport

Kjaer dhe ekipi mjekësor danez marrin çmimin presidencial nga UEFA pasi shpëtuan jetën e Eriksen


Stafi Mjekësor duke i dhënë Eriksen ndihmën e parë

Kapiteni danez Simon Kjaer dhe ekipi mjekësor që i shpëtoi jetën Christian Eriksen kanë marrë një çmim presidencial të UEFA-s këtë vit.

29-vjeçari Eriksen pësoi arrest kardiak gjatë ndeshjes së parë të Danimarkës në Euro 2020 përballë Finlandës në Kopenhagë më 12 qershor.

Kjaer është njohur për shfaqjen e “cilësive të jashtëzakonshme udhëheqëse” në përgjigjen e tij ndaj situatës.

Duke falënderuar ekipin mjekësor, lojtari i Interit, Eriksen tha: “Ju bëtë një punë fantastike dhe më shpëtuat jetën”.

“Gjithashtu një falënderim i madh për mikun dhe kapitenin tim Simon dhe shokët e mi të skuadrës në ekipin danez për mbështetjen tuaj, si më 12 qershor, ashtu edhe më pas”.

“Faleminderit të gjithë fansave që më kanë dërguar mesazhe mua dhe familjes sime. Do të thotë shumë dhe na ka dhënë forcë dhe mbështetje. Faleminderit!”

Ish-lojtari i Tottenham, Eriksen, u rrëzua pak para pjesës së parë kundër Finlandës, i cili u ringjall nga mjekët, pasi ai kishte pulsin e ndalur kur mjekët kishin arritur.

“Ekipi reagoi si një njësi”, kishte thënë Kjaer.

Kjaer u vlerësua për “përgjigjen e tij të admirueshme” ndaj situatës.

Mbrojtësi i Milanit, 32-vjeçar, e vendosi Eriksenin në pozicion, për të filluar procedurën fillestare të CPR-së para se të udhëhiqte lojtarët danezë në krijimin e një unaze rreth Eriksenit, kur ai mori kujdesin mjekësor.

“Është diçka që do të mbetet me ne për pjesën tjetër të jetës sonë”, tha Kjaer.

“Ekipi reagoi si një njësi… si një ekip, ne bëmë përpjekjen maksimale për të qëndruar së bashku dhe të përpiqemi ta kapërcejmë atë situatë dhe ta ndihmojmë sa më shumë që të jetë e mundur”.

“Unë përpiqem ta drejtoj ekipin brenda dhe jashtë fushës, në çdo aspekt të jetës, si futbollistë, kur jemi bashkë. Mendoj se është një nga privilegjet më të mëdha që kam në karrierën time”.

“Unë e njoh Christianin për shumë vite. Ai ka një familje të madhe, ka shumë miq, shumë shokë të skuadrës që duan më të mirën për të. Përderisa ai është i lumtur dhe familja e tij është e mirë, unë jam i lumtur”, përfundoi Kjaer.

Ekipi mjekësor iu përgjigj shpejt dhe e ringjalli Eriksenin, para se ai të shtrihej jashtë dhe të çohej në spital.

“Ne nxituam në terren për të ndihmuar Christian-in dhe për të bërë punën tonë”, tha Mogens Kreutzfeldt, shefi mjekësor për Euro 2020 në Kopenhagen.

“Ne bëmë atë që duhej, atë që na mësuan, atë që u stërvitëm për të bërë”.

“Të gjithë e dinin rolin e tyre, të gjithë e dinin se çfarë të bënin. Ne nuk ishim emocionalë në vendngjarje. Më pas, natyrisht, ishim si të gjithë. Ne jemi shumë të lumtur dhe krenarë për rezultatin”.

“Këtë vit, Çmimi i Presidentit tejkalon futbollin”, tha presidenti i UEFA -s, Aleksander Ceferin.

“Ajo shërben si një kujtesë e rëndësishme dhe e përjetshme se sa e çmuar është jeta”.

“Unë gjithashtu do të doja t’i dërgoja urimet e mia më të mira Christian Eriksen dhe familjes së tij, ndërsa ai vazhdon shërimin e tij”, përfundoi Ceferin.

Marrësit e Çmimit të Presidentit UEFA 2021:

Ekipi mjekësor

Mogens Kreutzfeldt (shefi mjekësor)

Frederik Flensted (menaxher mjekësor i stadiumit)

Anders Boesen (mjeku i urgjencës në fushë)

Peder Ersgaard (ndihmësmjek)

Oficerët mjekësorë të UEFA-s:

Jens Kleinefeld

Valentin Velikov

Ekipi kombëtar mjekësor danez

Morten Skjoldager (shoqëron mjekun e ekipit)

Morten Boesen (mjek ekipi)

Simon Kjaer (kapiten i ekipit kombëtar të Danimarkës)

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore