Lajme

Kirurgjia Torakale vetëm me një sallë operative dhe me mungesë të anesteziologëve


Klinika e Kirurgjisë Torakale.

Klinika e Kirurgjisë Torakale, ka mungesë të madhe të anesteziologëve dhe infermierëve e krahas këtyre mungesave, kjo klinikë po përballet edhe me mungesë të sallës së dytë.

Drejtori i Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci, është shprehur se edhe mungesa e anesteziologëve ua ka vështriësuar punën, kjo pasi që një numër prej tyre ka kaluar në sektor privat.

“Numri i mjekëve që e disponojmë është i mjaftueshëm dhe është i njëjtë siç e kanë edhe shtetet e tjera. Me anesteziolog nuk është vetëm te Kirurgjia Torakale, problemi është i tërë ShSKUK-së, për arsye se numri i anesteziologëve është i vogël për të gjithë Kosovën dhe një numër i anesteziologëve e kanë kaluar në sektorin privat dhe kjo normal se e ka vështirësuar edhe punën”.

“Përveç që kemi problem me anesteziolog, kemi probleme edhe me sallën tjetër sepse një sallë e dytë neve do të na krijonte kushte shumë më të mira dhe faktikisht pacientët tanë nuk do të kishin hapësirë të dilnin jashtë shtetit”, ka thënë Kolgeci për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online.

Ai tutje ka treguar edhe arsyet për nevojën e shtimit të numrit të infermierëve.

“Stafi i mesëm gjithmonë është problem, çdokund edhe tek ne për shkak se kirurgjia është një departament që kërkon trajtim shtesë. Numri i infermierëve normalisht është i vogël. Me ata që i kemi po mundohemi të i mbulojmë ato mungesa që i kemi, megjithëse është shumë e vështirë se përkujdesja është më e shtuar sepse nuk është si në klinikat tjera sepse torakalja kërkon edhe trajtim prej-operativ edhe post-operativ”.

Sipas tij, “stafi i mesëm është mungesë çdokund”.

Kolegci theksoi se pret nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Unversitar i Kosovës (ShSKUK), Elvir Azizi, investime të reja.

“Prioritet i imi ka qenë komunikimi me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me drejtorin Elvir Azizin, për arsye se është një bashkëpunim shumë i ngushtë edhe qasja është shumë më e lehtë, kemi pasur investime dhe po besoj që do të kemi edhe në të ardhmen”, u shpreh tutje Kolgeci.

Po ashtu, Kosova s’ka ndonjë qendër të veçantë apo të specializuar për djegie.

Rastet të cilat kanë të bëjnë me djegie trajtohen në Klinikën e Kirurgjisë Plastike Rekonstruktive dhe Estetike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, por disa raste edhe jashtë vendit.

Klinika e Kirurgjisë Plastike, merret me trajtimin e rasteve të tumoreve të lëkurës dhe indeve të buta, patologji të shuplakave, por që më së shumti raste të djegieve dhe pasoja të tyre, thonë mjekët në këtë institucion.

Sistemi shëndetësor vazhdon të ballafaqohet me një sërë mungesash në institucionet publike.

Albanian Post në shtator të 2022-ës kishte realizuar një intervistë me kryetarin e Shoqatës së Anesteziologëve, Lulzim Emini.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore