Lojëra

Kina ul orarin e qëndrimit të fëmijëve në video-lojërat


Rregullatori kinez i lojërave-video ka thënë se lojtarët online nën moshën 18 vjeç do të lejohen vetëm për një orë të premteve, gjatë fundjavave dhe festave.

Agjencia e lajmeve, “BBC” tregon se Administrata Kombëtare e Shtypit dhe Publikimit i ka thënë agjencisë shtetërore të lajmeve, “Xinhua”, se lojërat do të lejoheshin vetëm nga ora 20:00 deri në 21:00 e mbrëmjes.

Gjithashtu ka udhëzuar kompanitë e lojërave për të parandaluar fëmijët që luajnë jashtë këtyre kohëve.

Në fillim të këtij muaji, një media shtetërore i ka quajtur lojërat online “opium shpirtëror”.

Edhe inspektimet e kompanive të lojërave në internet pritet që të rriten. Kjo për të kontrolluar nëse afatet kohore po zbatohen.

Lidhur me rregullat e mëparshme, ato e kishin kufizuar lojën online të fëmijëve në 90 minuta në ditë, duke u rritur në tri orë gjatë pushimeve.

Kurse masa e re pasqyron një shqetësim të madh për ndikimin e lojërave të tepërta tek të rinjtë.

Një muaj para kufizimeve të fundit, një artikull i botuar nga “Economic Information Daily” pretendonte se shumë adoleshentë ishin bërë të varur nga lojërat online dhe se kjo po ndikonte negativisht tek ata.

Në disa nga firmat më të mëdha të lojërave online në Kinë, artikulli nxiti rënie të konsiderueshme të vlerës së aksioneve

Në korrik, gjiganti kinez i lojërave, Tencent, ka njoftuar se po bënte njohjen e fytyrës për të ndaluar fëmijët të luanin midis orës 22:00 të mbrëmjes dhe 08:00 të mëngjesit.

Por ky veprim pasoi frikën se fëmijët po përdornin letërnjoftimet e të rriturve për të anashkaluar rregullat.

Kina godet “opiumin shpirtëror”

“BBC” shkruan se kjo lëvizje mund të jetë ndoshta një fund zhgënjyes i verës për dhjetëra miliona lojtarë të rinj të Kinës.

Prej kohësh, autoritetet kineze kanë qenë të shqetësuara për varësinë nga lojërat dhe aktivitetet e tjera të dëmshme në internet midis të rinjve.

Duket se Pekini po shfaq një skepticizëm në rritje mbi zgjerimin e kapitalit dhe teknologjisë, si dhe ndikimin e tij potencialisht negativ në mirëqenien e brezit të ri të vendit.

Rregulli i ri erdhi mes një goditjeje gjithëpërfshirëse ndaj gjigantëve të teknologjisë kineze, si Alibaba, Didi dhe Tencent, si dhe një sërë reformash mbi aktivitetet e konsideruara nga Pekini si të dëmshme për brezin e ri, duke përfshirë kulturën e tifozëve të famshëm dhe mësimet private.

Duke imponuar këto rregulla të reja, qeveria kineze shpreson të krijojë “energji pozitive” tek të rinjtë dhe t’i edukojë ata me atë që Pekini i konsideron “vlera të sakta”.

Nga ana tjetër, shumë prindër kinezë e duartrokasin kufizimin e lojërave, kurse disa të tjerë e kritikojnë ndërhyrjen e qeverisë si “të paarsyeshme” dhe “arbitrare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore