Kosova

Kina pas situatës në Veri: Mbështesim Serbinë, kundërshtojmë veprimet e njëanshme të Kosovës


Mao Ning

Pas reagimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, për situatën e krijuar në Veri të Kosovës, ka reaguar e Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës.

Zëdhënësja e kësaj ministrie, Mao Ning, ka thënë se Republika Popullore e Kinës, mbështet përpjekjet e Serbisë, sipas tyre, “për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial” në njërën anë dhe kundërshton në anën tjetër veprimet e njëanshme të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës.

Në anën tjetër një ditë më parë ministri i Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergey Lavrov, ka thënë se situata të Kosovë “është alarmante”, dhe ka pretenduar se “një shpërthim i madh mund të ndodhë në qendër të Evropës”.

Lavrov, siç pritej për situatën e krijuar në Kosovë – ku protestuesit e dhunshëm serbë, kryesisht në qytetin e Zveçanit, kanë sulmuar trupat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, duke lënë të lënduar 41 prej tyre – ka akuzuar vendet e Perëndimit.

“Ata kanë shkelur të gjitha parimet e Kartës së Helsinkit dhe dokumentet e tjera të OSBE-së. Situata është alarmante, por Perëndimi ka nisur rrugën e nënshtrimit total të kujtdo që shpreh mendimin e tij në çfarëdo mënyre”, ka thënë Lavrov para gazetarëve.

Ndryshe, 41 pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar nga protestuesit serbë në Zveçan, derisa po ndalonin turmën të futej në zyrat e objektit komunal.

Për të dytën ditë me radhë, serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po protestojnë kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të këtyre komunave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore